Covid-19/ Kuçani: Austria po bën testime masive, Shqipëria vijon me "contact-tracing"

Në një intervistë me Skype për gazetaren Matilda Mcini në Ora News, mjeku nga Austria Dr.Arben Kuçani foli për atë çfarë po ndodh me pandeminë Covid-19 në vendin tonë por edhe në shtete të tjera.

Teksa bëri një krahasim mes vendit tonë dhe Austrisë, mjeku u shpreh se shteti anëtar i BE ka shifra në rritje por kjo edhe për shkak të testimeve masive që bëhen.

"Duke dëgjuar lajmet që ju po jepnit, krahasuar me lajmet që ne kemi në Austri ka një diferencë të madhe sepse numrat këtu tek ne janë shumë të larta. Ka një situatë që i afrohet asaj të nëntorit të vitit që kaloi. Të gjitha shtretërit e pavioneve instensive janë pothuajse të zëna dhe po mendohet alternativa e zënies të shtretërve në dhomat e parazgjimit në sallat e operacionit. Po përgatiten autoambulancat për të trajtuar pacientët. Me gjithë lockdown-in që ne po përjetojmë prej tre muajsh ku çdo gjë është e mbyllur, restorante, hotele dhe shifrat po vazhdojnë punën e tyre. Kështu që në qoftë se do të donit në krahasim midis asaj çka po ndodh në Austri dhe në Shqipëri, Shqipëria, në bazë të lajmeve që po dëgjojmë, është shumë më mirë nga mënyra se si po ecën. Këtu po bëhen shumë teste, prandaj dhe kemi shifra të larta. Po presim që së shpejti të vijë benefiti i këtyre testimeve", tha mjeku.

Duke u ndalur pikërisht te testimet dhe debatet në Shqipëri nëse duhen më shumë apo më pak, Kuçani u shpreh se:

"Testimi në masë po tenton të marrë njerëz që nuk e dinë që e kishin (virusin) dhe paralelisht me vaksinimin sepse këtu në Austri mendohet që deri në fund të qershorit çdo person që do të marrë vaksinën e parë të jetë vaksinuar.

Në Shqipëri, mesa kuptoj unë, akoma vazhdojnë të izolojnë rastet dhe po bëjnë akoma contact-tracing dhe këto janë dy politika të ndryshme. Do vijë momenti në Shqipëri ku do thuhet ne e humbëm fillin se sa veta janë infektuar dhe e kanë bërë shumë shtete muaj më parë. Pra nuk e kemi më mundësinë të ndjekim çdo kontakt. Dhe nga ky moment vjen ajo që po bën Austria: testime në masë.

Lexo edhe: Ulen ndjeshëm rastet e reja, 285 infektime, 6 viktima dhe 311 në spitale