Të tronditur nga humbja e Bashkim Finos/ Mesazhe pa fund: Do na mungosh Mik! Le pas një boshllëk të madh

Miqtë e Bashkim Finos kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen e parakohshme nga jeta të deputetit të Partisë Socialiste.

Ish-kryeministri Pandeli Majko e kujton atë si kryeministër të vitit të vështirë 1997 duke theksuar se do t'i mungojë të gjithëve.

"Bashkim Fino ka ndërruar jetë. Kryeministri socialist i "Pajtimit" të vitit 1997 nuk do jetë midis nesh!

Do na mungosh mik! U prehsh në paqe!

Ngushëllime familjes!"

Deputeti Socialist Damian Gjiknuri thotë se ndarja nga jeta e Finos është një humbje që krijon boshllëk të madh jo vetëm tek familja por edhe tek miqtë e shumtë dhe kolegët e tij.

"Lajm i trishtë ndarja nga jeta e mikut dhe kolegut Bashkim Fino. Një humbje e parakohshme që krijon një boshllëk të madh jo vetëm tek familja por edhe tek miqtë e shumtë dhe kolegët! Familja humbi njeriun e vet të dashur, miqtë humbën një burrë fisnik e me vlera të jashtëzakonshme! Kolegët humbën njeriun e përkushtuar që diti të marrë përsipër përgjegjësi edhe në momentet ndër më të vështirat në historinë e Shqipërisë postkomuniste, atë të trazirave të vitit famëkeq 1997, kur Bashkimi u kthye në simbol shprese si Kryeministër i qeverisë së Pajtimit Kombëtar!"

Edhe deputetja socialiste Mimi Kodheli ka prekur me fjalët për Finon duke zbuluar një foto të vjetër kur ata të dy kanë qenë shokë fakulteti.

"Ja ku jemi të dy, shokë të një klase fakulteti. Mbetëm deri sot të tillë, por jam e sigurt do takohemi sërish.

Lamtumirë shok i kohërave të vjetra e moderne, mik i ditëve të mira e të vështira, Bashkim Fino.

Do na mungosh të gjithëve, por më shumë Dianës së dashur.

Lamtumirë e shihemi në kohë më të mira!"

Ministrja Ogerta Manastirliu thotë se ndihet krenare që ka ndarë një pjesë nga jeta e saj politike me njeriun që drejtoi Shqipërinë në momentet më të vështira të historisë.

"E trishtuar nga lajmi i ndarjes nga jeta të mikut dhe kolegut, Bashkim Fino.

Do të më mungojnë bisedat gjatë pushimeve në seancat e Kuvendit, ku nuk i kursente asnjëherë këshillat e mençura.

Krenare që kam ndarë një copë udhë në politikë me njeriun, i cili drejtoi Shqipërinë në një prej momenteve më të vështira të historisë së 30 viteve të fundit.

U prehsh në paqe, mik."

Për ministren Olta Xhaçka, Fiono ka qenë një mik i mirë i cili la një boshllëk të madh me ikjen e tij.

"Ka disa njerëz, disa miq të mirë, që kur ikin lënë pas një boshllëk aq të madh, që nuk zëvendësohen e nuk ua zë dot kurrë dikush tjetër vendin që kishin, sepse ishin të papërsëritshëm. I tillë ishte për mua Baçi, një mik i mirë, simbol i mirësisë e kujdesit për njerëzit, i fjalës dhe i humorit, që do të na mungojë aq shumë. U prehsh në paqe e qofsh i parajsës miku im!

Mungesa jote është e pazëvendësueshme!"

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, njëherësh dhe Kryetar i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla ka reaguar pas ndarjes nga jeta të deputetit, Bashkim Fino.

Ndërsa e cilëson Finon vëlla, kontribues dhe deputet të dashur e të veçantë Balla ka shprehur ngushëllimet e tij.

"Kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, kolegu e miku ynë i mirë Bashkim Fino u nda sot nga ne.

Familja jonë e madhe socialiste humbi vëllain, kontribuesin, deputetin tonë, sa të veçantë aq edhe shumë të dashur

Na preve krahët o Bashkimi ynë i dashur! U prehsh në paqe! I paharruar do jesh gjithmonë."