Vaksinimi për sot mbaroi, por Rama “vazhdon” të qëndrojë në shesh, ironia e gazetarit: Ai vaksinon, ai shpëton...

Vaksinimi për sot ka përfunduar, kamerat e ERTV janë fikur, por imazhi i kryeministrit Edi Rama vijon të qëndrojë në sheshin Skënderbej, pranë çadrave të ngritura për fushatën e vaksinimit dhe fiks përballë shtatores së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Një monitor i vendosur aty pranë shfaq gjatë gjithë kohës imazhe nga vizitat e shefit të qeverisë në pikat e vaksinimit edhe pse për sot gjithçka është mbyllur. Veprime që bien ndesh me Kodin Zgjedhor dhe që vijnë në një kohë kur fushata elektorale ka filluar tashmë edhe zyrtarisht.

Imazhet janë publikuar nga gazetari i Ora News, Isa Myzyraj, i cili nuk kursen as ironitë me kryeministrin por edhe me Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve që duhet të monitorojë fushatën.

“Fushata, Rama Vaksinon, Rama shpëton, Voto Ramën!

Edhe pse vaksinimi për sot ka përfunduar, surrati i tij qëndron madhërishëm përballë Skënderbeut në Zemër të Shqipërisë”, shkruan gazetari Myzyraj.

Vaksinimi te sheshi “Skënderbej” ka nisur st për moshat mbi 75 vjeç, të cilët do të lajmërohen nga mjeku i familjes.

Në sheshin simbol të kryeqytetit janë ngritur dy çadra të mëdha me 10 pika vaksinimi për secilën.

Lexo edhe: A po vaksinohet për fushatë? Dasho: Në Shqipëri gjërat bëhen aq trashë sa nuk mund të fshihen