Me shkop bejsbolli, grabitet gjatë natës karburanti në Lezhë, maskat marrin xhiron ditore
Një pikë karburanti u grabit gjatë natës në superstradën Lezhë-Laç.
Ngjarja ndodhi pranë kryqëzimit të Shënkollit, ndërsa autorët ishin të paktën dy persona.
Sipas të dhënave ata janë afruar nga pjesa e pasme e biznesit deri pranë vendit ku qëndronte punonjësi i karburantit.
Më shkop bejsbolli dhe një sendi tjetër për të cilën kanë lënë të nënkuptohet se ishte armë, por që dyshohet se ishte lodër, ata kanë kërcënuar punonjësin.
Sipas burimeve kanë arritur të marrin rreth 100 mijë lek të reja dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga zona sërish në këmbë po nga pjesa e pasme e karburantit.
Pasi janë njoftuar nga punonjësi, blutë janë vënë në ndjekje të autoreve, por pa mundur ende që të bien në gjurmët e tyre.
Në cilësinë e provës materiale është gjetur dhe sekuestruar shkopi i bejsbollit i përdorur nga autorët dhe janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë.
Por identifikimi duket i vështirë për shkak se grabitësit ishin të maskuar dhe kanë tentuar ta fshehin fytyrën përballë kamerave.
Këto sjellje kanë ngritur dyshime se autorët mund të jenë të rinj që e njohin mirë zonën dhe mund ta kenë studiuar vendosjen e kamerave në karburant para se të vendosnin ta grabisnin.
Lexo dhe: Humb jetën nga Covid deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino