Kjo javë me diell, shijoni Pranverën

Meterologia Lajda Porja nga MeteoAlb në një lidhje direkte për emisionin Ditë e Re në RTV Ora me moderator Arjon Muça dhe Arjola Shehu na ka njohur me parashikimin e motit për ditët në vazhdim.

Pas një fundjave pranverore, pritet që edhe në ditët në vazhdim të kemi diell por me pak vranësira të lehta.

"Pas një fundjave pranverore, edhe kjo javë mbetet në kushtet e qëndrueshme të motit.

Moti do të jetë kryesisht i kthjellët sidomos në orët e para të paraditeve, ndërkohë pasdite do të kemi vranësira të pakta. Më të theksuara këto vranësira do të jenë në zonat veri-verilindore duke sjellë edhe sonte shi të izoluar.

Deri ditën e premte do ta shijojmë motin me diell, ndërkohë të shtunën kemi zhvillimin e një sistemi vranësirash i fokusuar në zonat veriore duke sjellë edhe reshje shiu.

Shirat do të fillojnë në orët e vona të mbrëmjes dhe më të përqendruara do të jenë gjatë ditës së shtunë ku do të ketë herë pas here dhe rrebeshe. Dieta e dielë sjell një përmirësim, do kemi edhe diell edhe vranësira dhe shira.

Reshjet do jenë kryesisht shira duke qenë se temperaturat janë të larta. Ka pasur një rritje të ndjeshme krahasuar me ditët e kaluara të marsit. Në fundjavë është shënuar vlera 22 gradë përgjatë zonës bregdetare, pritet që dhe gjatë këtyre ditëve temperatura minimale të jetë 3 gradë në zonat malore dhe 17 gradë maksimalja, ndërsa në zonat perëndimore pritet të shkojnë në 22 gradë.

E gjithë java, që nga e hëna deri të premten do të jetë me diell."