Kisha në shpellë me piktura në shkëmb, objekti i kultit në Kostar të Finiqit me afreske e histori të rrallë
Në malin e Kostarit në Finiq ndodhet një prej monumenteve fetare të veçanta të besimit Ortodoks
Kisha e Manastirit të Shën Mërisë është e ndërtuar në një shpellë.
"Kjo Kishë ka një histori qindra vjeçare dhe legjenda thotë që Shën Mëria erdhi nga Korfuzi, e ka përshkruar gjithë malin me këmbë dhe u strehua në këtë shpellë shkëmbi. Që prej asaj kohe u bë vend i shenjtë. Edhe rruga gjarpëruese lidhet me legjendën që thotë se një gjarpër merrte ujë në lumin Bistrica dhe e sillte këtu."
Afresket janë të pikturuara direkt mbi shkëmb, por gjendja e tyre tregon mungesën e restaurimit ndër vite.
Kisha brenda shpellës në planimetri është pothuajse rrethore me një diametër rreth 6 metra.
Në faqen e malit janë të ndërtuara hapësirat ndihmëse të manastirit të kërcënuar nga harresa e institucioneve dhe zjarret.
"Është djegur para disa viteve, ka rënë zjarr," thotë një banor.
Çdo vit Kisha tërheq mijëra vizitorë, ndërsa pelegrinazhi kulmon më 15 gusht ditën e Shën Mërisë.
Por besimtarët janë lutur aty edhe kur Zoti ishte i ndaluar me ligj.
"Këtu vijnë që nga Konispoli e Himara," thotë banori.
Vlerat janë edhe historike. Gjatë pushtimin Osman, ka shërbyer si shkollë sekrete.
"Është mbi 500 vjeçare," thotë ai.
Kisha është monument kulture i kategorisë së parë, por vetëm pak ditë më parë, Ministria e Kulturës lajmëroi një projekt restuarimi duke e quajtur “Shpella me piktura”, atë që për banorët e jugut është një objekt me rëndësi të veçantë shpirtërore.