Durrësi “Fushë beteja” e 25 prillit Rama-Meta
Presidenti Ilir Meta zgjodhi Durrësin, aty ku kandidon kryeministri Rama për të prezantuar nismën “Denonco krimin zgjedhor”
Ndërsa Rama do të vijojë fushatën zgjedhore për të bindur durrsakët ta votojnë, Meta nga Durrësi nisi "luftën e tij" për të mbrojtur votën e lirë.
"E besoj kur them ne, jemi popull shqiponjash jo sorrash. Meta e ngre zërin sepse paralajmëroj se këtu po luhen fatet e Shqipërisë dhe të ardhmes europiane.
Ajo që kërkon Ilir Meta dhe do e realizojë është pluralizmi politik dhe vota e lirë dhe e barabartë. Për këtë ka dhënë jetën Havzi Nela, Heronjtë e Shkodrës së 2 prillit, ka sakrifikuar Pjetër Arbnori
Sot ishte dita e parë e kësaj nisme, për të cilën çdo qytetar mund ta gjejë në faqen e presidentit.
Para gazetarëve, pasi kreu i shtetit prezantoi nismën "Denonco krimin zgjedhor" u bëri thirrje qytetarëve që të jenë në aleancë me të për të denoncuar çdo falsifikim apo krim zgjedhor që synon të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.
Kjo iniciativë nuk synon të zëvendësojë institucionet që kanë detyrë për të mbrojtur zgjedhjet sipas ligjit, por ngaqë kjo punë nuk është bërë në të kaluarën dhe ka shumë mundësi të përsëriten prandaj nisma e presidentit u bën mirë të gjithëve ta marrin seriozisht”
Jo vetëm kaq. Meta paralajmëroi se denoncimet që do të vijnë nga kjo nismë do të bëhen publike pikërisht nga qyteti i Durrësit.
“Çdo javë këtu në Durrës do të keni komunikim të vazhdueshëm lidhur me procesin e ecurisë së zgjedhjeve. Uroj zgjedhje të mbara, aq më tepër në Durrës siç e meriton qytetaria durrsake, në mënyrë që barazia e votës të vendoset më 25 Prill për 100 vitet që vijnë.”
I pyetur për një reagim lidhur me deklaratën e ambasadorës së SHBA për kandidimin e personave të inkriminuar në zgjedhje, dhe përmendjen e emrit të Tom Doshit, Meta thumboi Ramën.
Meta tha: Nuk kam asnjë arsye të shmangem nga çështja më e madhe që ka vendi. Ne e dimë që kemi një histori të dhimbshme dhe një ligj për dekriminalizimin. E dimë shumë mirë kush na detyroi të bëjmë një ligj të vecantë, kush kandidoi aq shumë persona me tre katër emra në krye të bashkive, parlament e kudo. Ajo që dua të theksoj është se në këto zgjedhje edhe pse nuk u bë më e mira, përsëri qytetarët kanë mundësi jo vetëm të zgjedhin mes subjekteve të ndryshme, por dhe brenda listës. I ftoj qytetarët të votojnë me bindjen e tyre për alternativën që do I përfaqësojë më mirë dhe për kandidatin/ en më me integritet. Në këtë mënyrë do I jepej një mesazh I mirë kryetarëve për listat në të ardhmen.