Kryemadhi në Belsh: U rëntë në kokë atyre që përdorin pushtetin për të kërcënuar njerëzit për votën

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ishte sot në Belsh për të prezantuar kandidatin për deputet Dylber Dervishi.

Kryemadhi u kërkoi qytetarëve të të ndëshkojmë me votë ata që nuk mbajnë premtimet.

Gjithashtu trajtoi dhe fenomenin e kërcënimit me heqjen nga vendi I punës apo asistencën për një votë.

 “Përdorimi i pushtetit vendor, i institucioneve të shtetit për politikë dhe për të kërcënuar e terrorizuar njerëzit, iu rëntë në kokë atyre vetë që e bëjnë këtë gjë.  Ne për fëmijët do luftojmë, me ata do merremi, me të rinjtë. Sepse këtu në Belsh njerëzit nuk kanë nevojë për fasadën që bën Rilindja, sepse do bëjë projektet e saj tre dimensionale. Këtu njerëzit kanë nevojë për bukën, kanë nevojë për ushqim, kanë nevojë për ilaçe, kanë nevojë për shërbime, kanë nevojë për punë.

Sot ne e dimë shumë mirë që faturat e Covidit janë faturat më të shtrenjta. Do prodhoj vaksina thotë ai për Kinën, se ngeli Kina që të bëjë fabrikë në Shqipëri për të prodhuar vaksinat e veta. Vetëm e vetëm si e si të gënjejë e të mashtrojë njerëzit. Thotë do bëj aeroporte, ndërkohë këtu të gjithë aeroportet  janë mbyllur, njerëzit po ikin me turma me autobusë dhe po ikin nga kufiri, sepse nuk kanë mundësi për t’i hipur avionit e jo më për të bërë udhëtime turistike që thotë ai.

Prandaj ne jemi të fokusuar tek rikthimi i të rinjve dhe krijimi i hapësirave të punësimit të tyre. Ndihmën për fermerin, kartën e fermerit, subvencionin për bujqësinë, krijimin e hapësirave, ndihmesën për familjen, ndihmesën për të rinjtë dhe shkollimin e tyre. Dhe rasti i duhanit që është këtu në Belsh, që është një nga pikat kryesore, është angazhimi ynë i drejtpërdrejtë.

Kryemadhi u ndal tek qeverisja e Rama e cila, nënvizoi ajo, nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet me të cilat erdhi në pushtet në 2013.

“Unë e shoh që është ajo fletëpalosja e shpërndarë nga Partia Socialiste, voto 29, në 2013. Sot pas 8 viteve asnjë nga këto premtime nuk është mbajtur. Jo vetëm në Belsh, por në të gjithë Shqipërinë. Nëse një nga këto premtime që është këtu në këtë fletëpalosje është mbajtur, nuk do t’ua kërkoj votën për LSI-në. Por do ua kërkoj sot të gjithë banorëve të Belshit dhe gjithë qytetarëve shqiptarë që na ndjekin, të votojnë atë parti që mban fjalën, atë parti që u përgjigjet njerëzve, atë parti që punon për të rinjtë dhe të rejat dhe të ndëshkojnë me votë ata që i kanë gënjyer dhe mashtruar.

Të ndëshkojnë me votë ata që kërcënojnë fukarain me pamundësinë e tij. Të ndëshkojnë me votë çdo institucion, çdo shtet që i mban në rresht dhe i terrorizon familjet e varfra, të sëmurët që kanë nevojë për kemp dhe këdo tjetër. Arkivi më i mirë është tek populli sesa tek shteti, sepse shteti i zhduk gjurmët. Ndërsa populli është ai që nuk i zhduk dot."