Greqia kujton 200-vjetorin e luftës për pavarësi nga Turqia, tregon tanket, avionët

Kanë kaluar 200 vite që kur Greqia nisi luftën e saj për pavarësim nga Perandoria Osmane.

Ky 200-vjetor u shënua me ngritjen e flamurit në Akropolin simbol të Athinës.

Ndërsa brenda në kryeqytet, parakaluan tanket, avionët dhe trupa ushtarake greke të veshura me kostumet si të vitit 1821, kur filloi revolucioni.

Paradën e përshëndetën kryeministri rus, Princi Çarls i Britanisë dhe ministri i Brendshëm i Francës, përfaqësues të tri shteteve që i dolën në krah Greqisë përgjatë luftës 9-vjeçare.

Përveçse i pranishëm në aktivitetet e ditës, kryeqeveritari grek, Kirjakos Micotaqis, uroi popullin e tij për datën e shënuar.

"Dy shekuj më parë, një grup luftëtarësh, brenda dhe jashtë Greqisë, shpalosën flamurin e pavarësisë. Me ndihmën e aleatëve, ata luftuan dhe fituan lirinë, për ta kthyer një provincë të Perandorisë Osmane në një shtet të pavarur, të organizuar. Konkluzioni i vetëm është se të përçarë u nënshtruam; bashkë, u realizuam."

Greqia u njoh si shtet i pavarur me Protokollin e Londrës në vitin 1830.

Kryeministri Micotaqis tha se ky përvjetor e gjen vendin në një betejë të veçantë siç është pandemia e kovidit-19, porse Greqia ka për të dalë më e fortë sikundër 200 vite më parë.