Ambasada në Jeruzalem nis punën, tre fëmijë nga Kosova do të kurohen në Izrael
Tre fëmijë nga Kosova do të mund të kurohen në Izrael.
E ngarkuara me punë e Kosovës në Jeruzalem, Ines Demiri, përmes një postimi në Facebook, shprehet se bashkë me fëmijët e sëmurë, drejt Izraelit do të udhëtojnë edhe nëna e tyre.
Ines Demirit: Sot zhvillova një takim të rëndësishëm dhe të frytshëm me z. Simon Fisher, Drejtor Ekzekutiv i organizatës humanitare “Save a Child’s Heart” me seli në Holon të Izraelit, dhe me Ambasadorin Dan Oryan - Drejtor pranë Departamentit për Ballkan në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit.E mirëprita kërkesën e z. Fisher dhe ambasadorit z. Oryan për bashkëpunim të ngushtë me ambasadën tonë në Jerusalem.
Si fryt i këtij bashkëpunimi, tre fëmijë nga Kosova, të shoqëruar nga nënat e tyre, gjatë ditëve në vijim, do të vijnë për shërim në Izrael. Falënderoj z. Simon Fisher, ambasadorin Dan Oryan dhe Shtetin e Izraelit për ndihmën e ofruar për shërimin e fëmijëve tanë dhe për gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë në të gjitha fushat mes shteteve tona.

Ambasada e Kosovës në Izrael u hap zyrtarisht më 14 Mars 2021, vendim ky i shoqëruar me shumë debate e kritika nga Bashkimi Europian dhe Turqia kryesisht.
Më 1 shkurt 2021, Izraeli njohu Kosovën duke u bërë shteti i 117-të që njeh pavarësinë e saj.