Erdogan i thotë Kurtit të rishikojë çështjen e ambasadës në Jerusalem
Presidenti i Turqisë, Tajip Erdogan i ka dërguar letër urimi Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
KosovaPress, bën me dije se Erdogan në letër ka shprehur shqetësimin për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, si dhe i ka bërë thirrje Qeverisë që ta rishikojë këtë vendim, brenda kornizës së rezolutave përkatëse të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare.
“Turqia, si gjithmonë, edhe në periudhën e ardhshme, do të solidarizohet në çdo fushë me popullin vëlla të Kosovës. Nga ana tjetër, pasi që e di se edhe ju keni, gjithashtu, shqetësime në lidhje me çështjen e Ambasadës së Kosovës, hapja e së cilës është njoftuar se është bërë në Jerusalem, mendoj se do të ishte e dobishme për Qeverinë tuaj të rishikonte këtë çështje brenda kornizës së rezolutave përkatëse të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare. Me këtë rast, përsëris urimet e mia më të mira dhe lumturinë tuaj, si dhe prosperitetin dhe mirëqenien e popullit mik dhe vëlla të Kosovës”, ka shkruar Erdogan në letër.
Erdogan në letër, po ashtu, ka thënë se përfshirja e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) në Qeverinë Kurti, parti kjo që ka fituar dy mandatet e rezervuara për komunitetin turk në Kuvendin e Kosovës, është një tregues se Kurti u kushton vëmendje prioriteteve dhe pritjeve të komunitetit turk.
Vendosja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, ka ardhur pas njohjes reciproke me Izraelin, njohje e cila ishte pjesë e marrëveshjes së Washingtonit