"Në 25 prill shqiptarët i bëjnë gjyqin Qeverisë", Zekthi: Brukseli pret fitoren e Bashës, Ramën se sheh më partner

Ndërsa tensionet politike sa vinë dhe rriten, analisti Fitim Zekthi thotë se ndryshimi i madh që pritet në 25 prill është në dorë të qytetarëve shqiptarë dhe ndërkombëtarëve.

Të parët sipas tij do ta japin kontributin me votë duke dalë masivisht në zgjedhje, ndërsa përfaqësia diplomatike në vendin tonë  thotë se nuk do të lejojë që Shqipëria të shkatërrohet nga një ganxhë e ndryshkur kriminale.

Zekthi: Ne kemi vetëm një shpresë, që populli shqiptar të mos u tutet këtyre shantazhistëve dhe të dalin masivisht në zgjedhje. Besoj se kjo gjë do të ndodhë.Do të kemi një rezultat surprizë, njerëzit kanë akumuluar në këto 8 vite lloj-lloj shantazhi, vuajtje, poshtërimi nga kjo qeveri dhe do të dalin në zgjedhje. Po ashtu besoj që ambasadorja amerikane Yuri  Kim nuk do ta lejojë Shqipërinë të rrëshkasë në këtë lloj ganxhe të tmerrshme. Ndërkombëtarët nuk do të lejojnë që kjo lloj ganxhe e ndryshkur kriminale të mund të shkatërrojë Shqipërinë, nëse do të vijohet me këtë klimë nuk do të kemi më mundësinë të shpresojmë për të patur paqe sociale dhe për të hyrë në BE.Marrja e pushtetit me mjete kriminale apo manipulim nga kjo qeveri do të jetë përmbyllja e një ëndrre të madhe të këtij vendi për demokraci dhe stabilitet.

I ftruar në Rtv Ora, ai thotë se mazhoranca nuk ndal manovrat për të marrë avantazhinn në tavolinë që nisi me ndryshimet e njëanshme kushtetuese dhe vijon me mbajtjen pezull të vendimit për shtyrjen e vlefshmërisë së mjeteve të identifikimit deri pas 25 prillit.

Zekthi: Qeveria shqiptare ka kohë që përpiqet të fitojë avantazhin në tavolinë. Avantazhin e madh në tavolinë kjo e fitoi me ndryshimet antikushtetuese të kryera nga një shumicë deputetësh që as nuk e kanë idenë se çfarë është Kushtetuta. Ka patur deputetë që kanë votuar ndryshimet kushtetuese në plazh online. Ajo shumicë prej 128 vetash është jo vetëm mediokre që nuk përfaqëson asgjë por edhe antishqiptare. Janë ndryshime kushtetuese që janë bërë vetëm për llogari të kryeministrit për ta vituar avantazh elektoral në tavolinë. Por pakënaqësia e njerëzve është aq e thellë dhe besimi se kjo qeveri duhet të largohet është shumë i madh dhe nuk mund të fitohen zgjedhjet me atë që ndodhi me Kushtetutën. Po kështu qeveria nuk po nxjerr një urdhër, nuk po merr një vendim ku të lejojë vlefshmërinë e kartave deri pas zgjedhjeve. Kjo qeveri do të bëjë gjithçka por nuk do t'ja dalë kurrë sepse këto janë momente ku njerëzit akumulojnë, heshtin dhe shpërthejnë ditën e zgjedhjeve. Ditën e zgjedhjeve do të kemi votim surprizë. Rama është totalisht i shkëputur nga realiteti, operon tërë ditën me numra dhe shifra. Është i rrethuar nga njerëz që i thonë ne po fitojmë, ne po bëjmë. Realiteti është tjetër, njerëzit mezi presin të shkojnë ditën e zgjedhjeve në kutinë e votimit për ta ndëshkuar qeverinë. Në analizë fundore njerëzit në ditën e zgjedhjeve i bëjnë gjyq qeverisë.

Sondazhi i publikuar të martën nga Rtv Ora dhe Antonio Noton nxirrte opozitën e bashkuar në avantazh me 51% dhe PS me 46.5%.

Duke e vlerësuar si sondazhin e vetëm që ndër vite i ka rënë në kokë rezultatit të zgjedhjeve në Shqipëri, Zekthi thotë se realiteti është dhe me optimist.

Zekthi: Sondazhi i vetëm në Shqipëri në këto dy dekada që ka sondazhe, që është provuar korrekt dhe i ka rënë në kokë përceptimit dhe të vërtetës së publikut është ky i zotit Noto. Mu duk shumë i moderuar dhe i kujdesshëm. Besoj që në të vërtetë sikur ta çlironim popullatën shqiptare nga frika që ka gjithëkush që kërcënohet në punë me bukën e gojës do të kishim shifra të tjera ndonëse e dimë që sondazhi është përpiluar nga profesionistë dhe e marrin parasysh këtë variabël që po them unë në sondazh. Sado të ruhet anonimati i të pyeturve sërish ka një lloj frike, thonë se më mirë nuk po shprehem ose po shprehem në një mënyrë opurtuniste. Por ditën e zgjedhjeve do të kemi votim tjetër. Shifra prej 51% patjetër që tregon tendencë, kahun nga do të anojë rezultati i zgjedhjeve. PS nëse ka dalë në 46% ju garantoj se është me 3-4 pikë % më pak.Sot përceptimi i publikut është se kjo qeveri nuk mund të rrijë më.

Duke analizuar fushatën zgjedhore të kryetarëve të dy partive kryesore, Ramës dhe Bashës, Zekthi ka këtë koment.

Zekthi: Ata që e sudiojnë politikën, politologët dhe strategjistët thonë se në fushatë bëhen dy gjëra nga një subjekt politik, përkufizohet vetja, përkufizohet kundërshtari. Dështakët merren vetëm me përkufizimin e kundërshtarit. Fakti që Rama merret vetëm me përkufizimin e kundërshtarit do të thotë se ai e kupton se ku është dhe i duhet vetëm të godasë kundërshtarin dhe ta pengojë.

Akuzat e Ramës se Brukseli se harxhon kohën dhe paratë e taksapaguesve europiane për fushatën me kandidatin e opozitës për kryeministër në Shqipëri, analisti i konsideron të pavend dhe qesharake.

Zekthi: Rama vetë ka ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA. Ka ndërhyrë drejtëpërdrejtë në zgjedhjet në Mal të Zi. Rama e kupton që Brukseli dhe partnerët tanë ndërkombëtarë presin fitoren e zotit Basha jo se kanë miqësi me zotin Basha por Rama nuk mund të jetë partner i tyre pas dështimeve 8 vjeçare.

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana