BOOM: Bashkia Tiranë e çon ujin deri në shtëpinë e Ramës, Fushë Farka konsumon ujë pusi
Boom udhëtoi në lagjen Fushë farkë, lagje e fshatit Surrel.
Banorët shprehin shqetësim për mungesën e ujit të pijshëm.
Ata nuk kanë rrjet ujësjellësi fare në banesa.
Banorët shprehen se ujin e kanë siguruar duke hapur puse, madje kur bie shi është e vështirë pasi turbullohet.
"Asnjëherë nuk kemi parë investim për këtë problem."
"Mungesa e ujit sjell shqetësim. Nëse nuk do kishim puse do të ishim pa ujë."
"Nuk kemi ujë, përdorim puse. Pushteti lokal na kanë thënë se do ta bëjë."
Një tjetër realitet është për komshinjtë e banorëve të Fushë Farkës. Vetëm pak kilometra më sipër, në Surrel banorët kanë ujë.
Të gjithë banorët që pyeti kamera e BOOM shprehen se kanë ujë në banesa, se kanë rrjet ujësjellësi e uji në shtëpi nuk mungon.
Edhe pse banorët janë shumë afër me njëri-tjetrin, por disa kanë ujë, disa jo.
Nuk dihet pse Surreli ka një rrjet ujësjellësi dhe pse ky rrjet nuk ka vazhduar edhe në Fushë Farkë.
Boom u interesua në njësinë administrative Dajt.
Punonjësi i urbanistikës shpreh se banorët kanë sjellë shqetësimin.
"Ne jemi në dijeni të problematikës qoftë për ujin, qoftë për rrugën. Këto problematika që ngrihet ne kemi për detyrë që t'i drejtojmë te bashkia. Për këtë problematikë do t'i drejtohemi drejtorive përkatëse për të gjetur një zgjidhje për këta banorë."
Njësia ka kompetencë për të referuar kërkesën e banorëve pranë Bashkisë Tiranë për të mundësuar më pas projektin për këtë zonë.
Ai shprehet se është e vërtetë që kjo zonë furnizohet nëpërmjet puseve me ujë dhe se banorët e Surrelit kanë një rrjet uji.