I ndjeri 70 ditë në morg, familjarët nuk dinin gjë, Murrizi: Turp, krim, përdhosje e kufomës. SPAK të nisë hetimet
Turp, krim dhe përdhosje. Kështu e konsideron deputeti Myslim Murrizi rastin skandaloz të publikuar ditën e djeshme nga emisioni "BOOM" në RTV Ora, ku familjarët nuk e dinin ku ndodhej i afërmi i tyre, i cili prej 70 ditësh qëndronte në frigoriferin e morgut në QSUT.
Gjatë fjalës së tij në parlament, Murrizi i bëri thirrje SPAK-ut të nisë menjëherë hetimet.
“Nuk e di sa je i informuar për një ngjarje makabër, transmetuar mbrëmë nga një emision investigativ, i gazetares Alketa Çeku. I ndjeri Luan Zeqiri, i shtruar në Vlorë më 27 dhjetor ka ndërruar jetë më 6 janar dhe ka humb 70 ditë në frigoriferin e morgut nga harbutllëku i atij mjeku palaço i cili i thoshte “ik se s’ta gjej unë tët atë”.
Nëse duan të përdorin të njëjtin standard për çdo fenomen, i bëj thirrje SPAK-ut të fillojë menjëherë hetimet për atë grup banditësh, të veshur me bluza të bardha në Vlorë dhe për menefregizmin e pseudo-mjekëve të Covid 1 apo Infektivit, liderët e së cilës na i keni fut në listë si shpëtimtarë të mëdhenj të kësaj pandemie.
Nuk ka më turp, nuk ka më krim, nuk ka më përdhosje të kufomës kur familjarët nuk e dinin ku e kanë të dashurin e tyre, babain e tyre dhe shkojnë e marrin pas 70 ditësh pas televizioni dhe gazetarja investigative shfaqin kronikën.
Ndaj i bëj thirrje prokurorisë të nisë hetimet edhe për atë palaçon në Vlorë, për drejtorët e QSUT, për Infektivin dhe për cilindo që është përgjegjës për hedhjen dhe harresën e tij në morg prej afro 2 muaj e gjysmë", u shpreh Murrizi gjatë fjalës së tij gjatë seancës së sotme plenare.