Lami: Libri i Bashës s'do ketë ndikim në zgjedhje, fushata është bërë e shtrenjtë, politika ka nevojë për paratë e krimit

Në një intervistë për RTV Ora, pedagogu Roland Lami u shpreh se publikimi i një libri nga Lulzim Basha përbën lajm pasi nuk vjen nga fusha e publicistikës.

Për Lamin, libri i Bashës nuk do të ketë ndonjë ndikim në fushatën zgjedhore, pasi sipas tij vëmendja do të tërhiqet tek kjo çështje dhe jo te fushata e opozitës.

Lami theksoi se fakti që Basha ka zhvilluar një takim online me dy eurodeputetë nuk e justifikon Ramën në deklaratat e tij, pasi të dyja palët po mundohen që të shfrytëzojnë eksponentët ndërkombëtarë për fushatë.

Lami: Publikimi i librit nuk është se përbën ndonjë mëkat, por zakonisht bëhet nga persona që e lëvrojnë artin e shkrimit. P.sh Rama dhe Blushi vijnë nga fusha e publicistikës dhe është e pritshme që të presësh një libër nga ata. Ndërsa te Basha përbën lajm sepse futet tek ata njerëz që nuk e pret që të shkruajnë një libër. Zakonisht ndodh pas tërhiqen nga politika. Kjo ndodh me autobiografitë e personazhe të mëdhenj. Unë nuk mendoj se kjo i vlen Bashës dhe PD-së 1 muaj para zgjedhjeve sepse vëmendja do të terhiqet te kjo gjë. Në aspektin elektoral nuk i vlen ky libër. Në aspektin e dhënies së një qasje si shkrimtar nuk më duket se lë ndonjë përshtypje. Nuk gjykoj se ka qenë një sugjerim i mirë nga këshilltarët e tij për ta botuar në fushatë.

Cdo individ apo institucion që realizon një takim në ditët e zgjedhjeve, jep një impakt apo mesazh në zgjedhje. Ashtu sikurse mund të komentohet takimi i Bashës sot me dy eurodeputetët po aq mund të shihet si një lloj prirje për influencë në zgjedhje edhe takimi i Ramës me presidentin Macronin në Francë. Edhe spitali i Fierit është një tendencë për të ndikuar pozitiv kundrejt Ramës. Prandaj alarmi i Ramës më duket i stisur. Të dyja palët mundohen që të shfrytëzojnë eksponentët ndërkombëtarë për të pasur një ndikim në ditën e zgjedhjeve. Kjo është një tentativë që të marrin çfarë të marrin dhe për të ndikuar në fasha të caktuara elektorale.

Lami shtoi se fushata zgjedhore është bërë e shtrenjtë dhe se qeveria ka nevojë për paratë e krimit dhe paratë e tyre.

Lami: Rama është një mjeshtër i trukut të debatit dhe këtë gjë e ka vërtetuar edhe me zgjedhjet e vitit 2017. Ai e di se baltosja dhe batuta sjell sukses, duke mos u fokusuar në programe. Partia Demokratike ka një tërheqje nga kjo strategji dhe nuk ka rënë këtë fushatë. Ndërkohë, mbetet për tu parë me personat që janë kaluar për tu verifikuar në kuadër të procesit të dekriminalizimit. Kjo tregon se partitë nuk janë gati të heqin dorë nga persona me të shkuar të erret kriminale. Kjo pasi të fortët në politikë janë të nevojshëm. Fushata është bërë e shtrenjtë dhe ajo që harxhohet është 10 herë më shumë nga sa deklarohet në KQZ. Paraja konvertohet në votë dhe familjet në nevojë e shohin si një mundësi për të marrë para. Po ashtu hidhet para për të krijuar idenë se po punohet para zgjedhjeve. Kështu, këto persona falë të shkuarës së tyre kanë para që mund t'i hedhin dhe më pas këto para mund të konvertohen në leje ndërtimi apo koncesione.