Bashkia po dëmton Mozaikun në Tiranë, Ceka: Prokuroria të nisë hetimet për zonën e mbrojtur

Gërmimet në këtë zonë të mozaikut të Tiranës, konsiderohen nga arkitektë e arkeologë si fushatë kundër ndërtesave historike të qytetit.

Arkeologu, Neritan Ceka, në një intervistë për Ora News shprehet se prokuroria duhet të nisë hetimet për punimet që janë kryer aty.

Ceka: Ka rënë shtresa arkeologjike, kanë gërmuar me skrep shtresën arkeologjike, kanë hedhur dheun me gjithë objekte të cilat duken, tjegulla, pjesë qeramike të shekullit të VI të erës sonë dhe që i përkasin kompleksit ku bën pjesë dhe mozaiku. Nga kjo pikëpamje është çështje që duhet të merret Prokuroria.

Sipas tij, drejtësia duhet ti japë një mësim kryebashkiakut të Tiranës, i cili në mënyrë arbitrare jep leje për punime pa kontrollin e arkeologëve.

Ceka: Çështja duhet të shkojë në Prokurori dhe duhet të merret një mësim, sidomos nga Bashkia e Tiranës që në mënyrën më arbitrare në të gjithë sipërfaqen e Tiranës jep leje ndërtimi pa asnjë kontroll arkeologjik, pa asnjë kusht arkeologjik. E ka përjashtuar Tiranën si një hapësirë pa potencial. Tirana është vendi ku shkatërrohen monumentet, është e barabartë me shkatërrimin e Teatrit të Tiranës, një pjesë e maternitetit u shkatërrua.

Mozaiku është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe për Cekën duhet të japë një sqarim për këtë dhe vetë Ministrja e Kulturës.

Gërmimet pranë mozaikut pasojnë rrafshimin e ndërtesës se maternitetit të vjetër nga fadromat e Bashkisë.

Monumentet historike po zhduken dita-ditës në Tiranë.

Sipas të dhënave zyrtare vetëm në 6 vitet e fundit, 35 objekteve u është hequr statusi që i mbronte ato nga shembja.