Korrigjohet sërish drejtësia, Parlamenti miraton 10 ligjet e ndryshuara të paketës së reformës në drejtësi
Parlamenti miratoi me shumicë të cilësuar ndryshimet e ligjeve të reformës në drejtësi, duke përdorur votat e deputetëve që hyjnë nga listat e PD dhe LSI-së. Gjithashtu deputetët i dhanë ok qeverisë shqiptare për marrjen e vaksinës ruse dhe kineze si dhe ndërtimin e Skacivës.
Socialistët kanë menduar për çdo skenar të mundshëm për zgjedhjeve e 25 prillit, duke mos i lënë asgjë rastësisë apo fatit të rezultatit.
Për shkak se ju duheshin 84 vota, mazhoranca ka “shfrytëzuar” votën e deputetëve, që në 2019 hynë në Parlament nga djegia e mandateve të PD dhe LSI-së, për të miratuar korrigjimin e radhës të ligjeve të reformës në drejtësi.
Në ndryshimet në Kodin Penal, SPAK dhe Gjykata Speciale do të hetojnë korrupsionin e zyrtarëve vetëm në rastet kur vlera do të jetë mbi 50 mijë lekë.
Për 3 emërimet në Kushtetuese , Gjykatës së Lartës do t’i mjaftojë dhe pjesëmarrja e 10 gjyqtarëve, të paktën deri në 2023.
Me ndryshime e fundit, joshen edhe gjyqtarët e prokurorët për të kandiduar për një vend në Gjykatën Kushtetuese, pasi që karriera e tyre të jetë e garantuar edhe pas 9 vitesh shërbimi.
Gjyqtari ka të drejtë të caktohet të paktën në një pozicion në nivel apeli, përkatësisht në gjykata ose në prokurori.
Xhafaj: Reforma në drejtësi tashmë është një realitet i prekshëm, pa asnjë diskutim përtej çdo marrëzie që mund të thuhet lart e poshtë. Reforma tashmë është në udhën e duhur të suksesit. Natyrisht një reformë kaq komplekse ka dhe do të ketë problemet e veta në zbatim. Ndryshimet e sjella nga grupi i ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të vetë sistemit janë brenda shtratit të ndryshimeve kushtetuese dhe parime të reformës.
Ndërkohë me 94 vota pro, deputetët i dhanë autorizim Ministrisë së Infrastrukturës për negocimin me procedurë të përshpejtuar për ndërtimin e Skavicës.