Rama: Kur drejtimi shkon në krahun e atyre që kemi përballë, Shqipëria nuk shkon në drejtimin e duhur

Në një takim me kandidatë të PS në qarkun e Tiranës, kryeministri Edi Rama u shpreh se, zgjedhësit e kryeqytetit kanë përballë emra që janë në lartësinë e pritshmërive të publikut por që edhe përfaqësojnë të gjitha moshat dhe kategoritë.

“Besoj që ne kemi vënë para zgjedhësve të qarkut të Tiranës një skuadër e cila është në lartësinë e pritshmërisë të publikut, të të gjitha moshave, të të gjitha kategorive për të patur një zgjedhje e cila në bazë të sistemit të ri zgjedhor nuk është vetëm një zgjedhje për partinë në tërësi por është edhe një zgjedhje preferenciale për individë”, tha Rama.

Sipas Ramës, tërmeti dhe pandemia e kanë sprovuar mazhorancën, ndërsa shtoi, sipas tij, arsyet pse PS e meriton edhe një mandat të tretë.

“Një mandat i tretë që i duhet patjetër vendit për të bërë të pakthyeshëm çdo proces transformimi dhe për të mos përsëritur historinë, e cila në më shumë se një rast ka treguar kur drejtimi shkon në krahun e atyre që janë përballë nesh vendi nuk shkon në drejtimin e duhur”.

Ndërkohë nuk munguan sërish sulmet ndaj opozitës: "Është e paimagjinueshme që Shqipëria mund të ribjerë në duart e atij konglometrati që e kanë bërë historinë e tyre, e kanë lënë gjurmën e tyre, më shumë për keq, sesa për mirë. Ajo që sot i duhet vendit është vazhdimi edhe me shumë energji, forcë, kurajo i të gjitha reformave dhe punëve të nisura. Beteja është shumë e rëndësishme për vendin, sesa për ne këtu në nivelin personal”.