Zbardhen grabitjet në Krujë, si autorët i ndërronin ngjyrën motorit, 4 në burg
Gjykata e Krujës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për katër personat e arrestuar si autorë të “Vjedhjes me dhunë” të disa qytetarëve dhe bizneseve.
Denis Baftjari, Sabjan Smaçi, Kleo Mana dhe Haxhi Cenja, do të qëndrojnë në qeli, pasi implikimi i tyre në disa grabitje është arritur të faktohet nga prokuroria.
Përfaqësuesi i akuzës Florian Bonjaku, gjatë seancës i tha gjykatës se të arrestuarit janë janë autorë të grabitjes me armë të pikës së karburantit “I FUEL” dhe disa qytetarëve të tjerë.
Gjatë veprimeve hetimore paraprake të kryera në polici, rezulton se njëri nga të arrestuarit, Denis Baftjari, ka shpjeguar se armën ja kishte dhënë Hysen Xixa dhe në momentin që kanë ndarë lekët, pistoletën ja ka kthyer.
Grabitjet janë mundur të zbardhen vetëm pasi në polici është shoqëruar Denis Baftjarij dhe Sabjan Smaçi, të cilët në deklarimet e tyre kanë shpjeguar hollësisht se vjedhjen tek karburant “I FUEL”, ku kanë thënë se e kanë kryer në bashkëpunim me persona të tjerë.
Dhe sipas tyre oraganizatori i kësaj vjedhje ka qenë personi Hysen Xixa, i cili ishte i shpallur në kërkim për vjedhjen e banesës së qytetarit Flamur Xhepi.
Ndër të tjera, Baftjari ka shpjeguar se në 13 mars 2021, ka qenë së bashku me personin, Sabjan Smaçi dhe kanë shkuar tek karburanti “I FUEL, ku dhe i kanë marrë lekët me dhunë, punonjësit të karburantit.
"Ne kemi shkuar me një motoçikletë të cilën e kishim vjedhur para disa ditësh tek banesa e Qemal Veshti, ngjarje për të cilën Veshti nuk ka bërë kallëzim. Motoçikletën e kami vjedhur së bashku me Sabjan Smaçi dhe e kemi dërguar tek një banesë e vjetër në lagje “Tali”, ku nuk banon njeri. Ditën e nesërme e kemi lyer më bojë të zezë. Në lidhje me vjedhjen e motoçikletes sqaroj se nuk ka patur dijeni asnjë person tjetër”-ka treguar në polici Denis Baftjari.
Më tej në deklarimin e tij, Baftjari shpjegon se me Hysen Xixa ka kryer vjedhjen e banesës së Flamur Xhepit, ngjarje në të cilën kanë marrë pjesë dhe Oltion Buci, Flogert Zeneli, Leonard Balla, dhe Indrit Rama.
Gjithashtu së bashku me këta persona kanë kryer vjedhjen tek antenat në zonën e Krastës në Krujë, ku kanë vjedhur naftë.
Ndërsa me Sabjan Smaçi, Baftjari thotë se ka kryer vjedhjen e motoçikletës, të cilën e kanë vjedhur në oborrin e banesës së Qemal Veshti dhe e kanë përdorur për të kryer vjedhjen e karburantit ku dhe më pas e kanë djegur.