Trafikuan 1.6 ton kokainë drejt BE, 14 vjet burg dhe konfiskim të pasurisë për Astrit Beqirin dhe Dhimitër Shkodranin
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 14 vite e 2 muaj burg Astrit Beqirin dhe Dhimitër Shkodranin, të akuzuar për trafikimin e një sasie për 1650 kg kokainë dhe heroinë në vendet e BE-së.
Konkretisht gjykata ka dhënë 7 vjet e 4 muaj burg për Beqirin dhe 6 vjet e 8 muaj burg për Shkodranin.
Krahas dënimit me burg gjykata ka vendosur edhe konfiskimin e pasurisë së tyre të sekuestruar më herët nga SPAK.
Astrit Beqiri dhe Dhimitër Shkodrani, u ndaluan në 2019 gjatë një operacioni ndërkombëtar droge.
Sipas Prokurorisë së Posaçme ata akuzohen se kryenin transportin e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal në Danimarkë dhe më pas i investonin në Shqipëri.
Grupi kriminal dyshohet se ndiqte një skemë të mirëpërcaktuar për të dërguar paratë nga Kopenhageni drejt vendit tonë.
Paratë e ardhura nga krimi i trafikimit të narkotikëve dërgoheshin “cash” nga Kopenhagen në Tetovë të Maqedonisë së Veriut.
Dërgimi nga Kopenhagen në Maqedoni të Veriut bëhej duke i transportuar paratë me anë të autobusëve të shoqërisë “ALBA TRANS” (e regjistruar në Tetovë), një nga ortakët e të cilës ishte shtetasi B. Ali, i arrestuar në Danimarkë.
Në Tetovë paratë merreshin kryesisht nga anëtari tjetër i grupit të strukturuar kriminal, shtetasi Dhimitër Shkodrani, i cili kalonte kufirin në pikat e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut dhe më tej këto para dërgoheshin tek shtetasi Astrit Beqiri, si dhe të afërm të tjerë të grupit kriminal.
Transferimi i parave sipas kësaj skeme bëhej me një frekuencë rreth 2 herë në muaj.
Për këtë arsye SPAK ka vendosi sekuestron dhe tashmë gjykata ka vendisur konfiskimin e disa pasurive të cilat dyshohet se janë krijuar nga të ardhurat kriminale.
Në listën e pasurive të konfiskuara janë Pulari “RENS 2015”, 6 banesa në Velipojë, 7 automjete dhe një motor.
Po kështu edhe 173.500 euro dhe 8 629 000 lekë, të gjetura gjatë kontrollit të banesës së të pandehurit Astrit Beqiri.