“Babai 70 ditë në morg”, Berisha reagon pas skandalit të publikuar në “Boom”: Krim! Rast unikal në botë

Mbrëmjen e shkuar emisioni investigativ "BOOM" në RTV Ora bëri publik një skandal që nis nga Spitali Rajonal i Vlorës.

Anila Zeqiri shtroi më 27 dhjetor 2020 në spital babain e saj, por edhe pas dy muajsh ajo nuk dinte se ku ndodhej familjari i saj.

Kur vajza shkon në spitalin e Vlorës për të pyetur se ku ndodhet babai, nuk i jepet informacion. Pas ndjekjes që emisioni "BOOM" i bëri këtij rasti familjarët mundën të tërheqin trupin e të ndjerit nga morgu 70 ditë pasi kishte ndërruar jetë.

Lexo edhe: BOOM – Skandal/ Vajza i çonte ushqime në spital, babai prej 70 ditësh në morg, mjekët asnjë informacion

Lidhur me këtë ngjarje të paprecedentë reagon edhe ish kryeministri Sali Berisha, i cili e konsideron një rast të rëndë dhe kriminal.

“Një rast si ky është i vetëm në botë!

Ky është shërbimi shëndetësor i Xhahilit të Surrelit dhe Ndrikull Hajnisë! Krim! Turp dhe faqe e zezë!

Ndiqeni hetimin e gazetarit për dramën e paimagjinueshme me të sëmurin e zhdukur në spitalet e narkoshtetit!”, shkruan Berisha në reagimin e tij.

Më herët, lidhur me këtë ngjarje të rëndë reagoi edhe nënkryetari i LSI, Petrit Vasili i cili i bëri thirrje prokurorisë të nisë sa më shpejt hetimet.

Lexo edhe: “Vajza i çonte ushqime në spital, babai prej 70 ditësh në morg”, LSI reagon pas skandalit të publikuar nga BOOM: Prokuroria të hetojë