Prisnim pranverën por na erdhi dimri
Reshjet intensive të dëborës që kanë përfshirë vendin kanë izoluar zonat malore në veri e juglindje ndërsa po shkaktojnë vështirësi në lëvizjen e mjeteve edhe në disa prej akseve kombëtare.
Deri në 60 cm shkon trashësia e dëborës në Bashkinë e Dibrës, ku thuajse të gjitha njësitë administrative janë të bllokuara.
Në bashkinë e Bulqizës, të bllokuar, janë njësitë Trebisht, Ostren, Gjorica, Fushe Bulqizë, Shupenzë e Martanesh, ndërsa në Bashkinë Klos bora ka të bllokuar rrugët e fshatrave në Xibër.
Rrugët nacionale raportohen të hapura, por në akset Peshkopi-Kala e Dodës, Ura e Çerenecit- Stëblevë, Qafë Bualli- Martanesh në disa segmente kalohet me zinxhirë. Gjendja në qytetin e Peshkopisë duket e paralizuar për shkak se bashkia nuk ka marrë asnjë masë.
Gjatë orëve të natës situatë kaotike u krijua në rrugën e kombit. Udhëtarë të shumtë publikuan në rrjetet sociale video ku tregonin bllokimin e rrugës dhe radhë makinash.
Në Kukës, trashësia e dëborës varion nga 15 cm në qytet deri në 60 cm në zonat e thella. Rrugët rurale janë vështirësisht të kalueshme me zinxhirë, ndërsa ato nacionale raportohen të qarkullueshme.
3 metra raportohet trashësia e dëborës në Qafë-Thorë duke izoluar zonën e Thethit në Shkodër, ku probleme ka edhe aksi Prekal-Mali, Shoshit-Breg.
Rrugët rurale të Bashkisë Pukë dhe Fushë Arrëz janë thuajse të gjitha të bllokuara pasi trashësia e dëborës shkon deri në 1.3 metër në aksin rrugor Qafe Mali- Fierzë.
Në juglindje trashësia e dëborës varion nga 5cm-25 cm, zona e Voskopojes, Qafa e Qarrit, rruga e Dardhes.
Fshatrat malorë në Lekas e Vikthkuq të Pogradecit dhe Dardhas e Trebinjë e Velçan janë të izoluar.
Rreth 80 % e qarkut të Dibrës, sikurse shumë fshatra të tjera malore në të gjithë vendin janë pa energji elektrike si pasojë e dëmtimeve në rrjetin shpërndarës.