Dibra nën pushtetin e borës, shumë fshatra pa energji
Është rënduar situata e motit nga reshjet e borës të nisura prej afro 48 orësh.
Situatë problematike mbetet në Bulqizë e Dibër kur në zonat e thella malore trashësia ka arritur deri në 60 centimetra.
Të gjithë fshatrat e njësive Administrative Kala e Dodës, Selishtë e Lurë janë të izoluar pasi trashësia e borës është shumë e madhe. Në të njëjtën situatë gjenden edhe Njësitë Reç, Zall - Dardhë. Edhe në Njësitë Administrative Martanesh, Trebisht e Ostren të Bulqizës është e njëjta situatë pasi dëbora shkon deri në 50 centimetra.
Rruga nacionale Peshkopi - Klos është e kalueshme pasi është mbajtur e hapur. Edhe rruga Peshkopi - Qaf Drajë - Kukës është e kalueshme. Akset Qaf Bualli - Krastë dhe Ura e Çerenecit - Librazhd kalohen me vështirësi dhe duhet përdorimi i zinxhirëve.
Shumë fshatra të Bashkisë Dibër e Bulqizë janë pa energji elektrike për shkak të dëmtimit të rrjetit përcjellës.