Dhuna në familje, Xhaferri: Kemi parë aksione, por nuk lobohet për ta parandaluar
E ftuar në Ora News, përballë gazetares Sonila Musai, psikologia Almeida Xhaferri ka folur mbi një fenomen shumë shqetësues për vendin tonë, atë të dhunës ndaj grave.
Pak ditë më parë, në qytetin e Fierit, një 28-vjeçare u masakrua me thikë nga bashkëshorti i saj, ngjarje që sipas Xhaferrit tregon se, në Shqipëri nuk lobohet për të parandaluar dhunën në familje.
"Fenomeni i dhunës është një fenomen që për fat të keq nuk ndeshjet rishtazi apo në mënyrë të papritur në kulturën tonë. Ne jemi mësuar që ngjarje të tilla ta trondisin opinionin publik. Kemi parë disa aksione nga idividë të ndryshëm, nga ana e shoqërisë civile, nga ana e përfaqësuesve të insitucioneve por në mënyrë sistematike ne nuk shohim të lobohet për të parandaluar dhunën në familje, sidomos kur objekt i kësaj dhune është gruaja, si një individ i pambështetur nga kjo shoqëri që është patriarkaliste në thelbin e saj", tha Xhaferri.
Sipas psikologes, dhuna nis e përshkallëzuar.
"Duhet të kuptojmë që aktet fatale nuk vijnë në mënyrë të menjëhershme. Çka do të thotë se këta dy partnerë për herë të parë patën këtë shfaqje dhune mes tyre. Dhuna, sidomos në marrëdhënien në çift apo në marrëdhënien familjare, vjen në mënyrë të përshkallëzuar. Fillon në fazat e hershme kur çifti vendos të jetojë bashkë ku janë simptomat më të lehta ku dhunuesi vendos të izolojë viktimën, duke e përjashtuar nga e drejta për të pasur miq, për të pasur një profesion apo për të ruajtur kontakte me shoqe që viktima ka patur para se të martohej. Shpeshherë i privohet e drejta për të patur kontakte edhe me familjarë. Pas një kohe të gjatë, ku viktima ka një dhunë të vazhdueshme psikologjike ku herë pas here mund të jetë edhe e verbalizuar, fillon duke u përdorur edhe dhuna fizike, e cila nis me një shpullë dhe ne dëgjojmë debate është apo jo dhunë".