Laç/ Eskavatorët gërmojnë bulevardin 1.2 mln euro investim, kishin harruar kanalizimet

Eskavatorët po gërmojnë në sheshin dhe bulevardin e qytetit të Laçit, të cilët u rikonstruktuan 4 vite më parë në kuadër të projekteve të rilindjes urbane.

"Ka një vit e pak kohë që është bërë, sot matrapiku po e prish," thotë një banor.

Investimi i cili ka kushtuar 1.2 milion euro ka nisur të shkatërrohet nga zbatimi i projektit për ujësjellësin e ri të qytetit dhe kanalizimet nëntokësore.

"Kur bëhet një projekt duhet mos ta prishësh më për 100 vjet," thotë banori.

Për banorët e Laçit shkatërrimi i një investimi për tjetër investim tregon mungesën e vizionit të bashkisë e qeverisë.

Thonë se punimet nëntokësore duhet të ishin bërë në të njëjtën kohë me projektin e rilindjes urbane.

"Përpara 4 vitesh nuk e dinin këta që do duheshin tubacione për ujësjellësa dhe kanalizime," thotë banori.

"Ky projekt duhet të ishte bërë me kohë, jo prish-ndreq. Ka shkuar 2 fish i shpenzimeve," thotë banori.

Ndaj akuzojnë pushtetin vendor dhe qendror për abuzime dhe afera korruptive.

"E gjithë çfarë po bëhet është një masakër dhe një hajdutëri babëzie e paparë," thotë banori.

"Fasadë për të marrë vota, ku ishin këto punime për 8 vjet që po i bëjnë sot. E kanë shkatërruar Laçin nga të gjitha anët vetëm e vetëm për të marrë vota," thotë banori tjetër.

Në Bashkinë e Kurbinit bëjnë me dije se pas përfundimit të ujësjellësit të ri në gjitha akset rrugore përfshire dhe bulevardin e sheshin do të kthehen në gjendje të mëparshme.

Por sigurisht kjo do të kërkojë sërish para nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë.