"1 Maji" në Vlorë, si zonë lufte, tre muaj pa u larguar inertet e shtëpive të shembura

15 objekte u shembën në datën 9 nëntor 2020  si pjesë e projektit për zgjerimin e portit detar të Vlorës, por kur kanë kaluar gati tre muaj kjo pjesë e Lagjes 1 Maji ngjan si një zonë lufte.

Që prej asaj kohe dhe deri tani megjithëse kanë kaluar më tepër se tre muaj situata ka mbetur po e njëjtë.

Mbetjet inerte nuk janë larguar dhe puna sipas banorëve po zvarritet, pasi sipas tyre tashmë cdo gjë bëhet në funksion të votës së 25 prillit.

"Tani është kohë fushate, duhen paratë për shtetin," thotë një banor.

"Të marrin votat këta dhe do na sistemojnë,"  thotë banorja.

"Qeveritarët i  kanë quajtur gërmadha. Thonë prishëm disa gërmadha, disa mbeturina, se çfarë kanë brenda këto gërmadha…Kuptohet që njeriu trajtohet si kafshë," thotë banori.

Ngrenë alarmin se kjo zvarritje po shfrytëzohet edhe nga firma të tjera ndërtimi që depozitojnë aty mbetje.

"Ku di unë ku prishin ata dhe i sjellin këtu," tha banorja.

"I pastruan dhe i sollën përsëri mbeturinat," tha banori.

Familjet që mbeten pa çati pranojnë se kanë marrë bonusin e qirasë, por thonë se është i pamjaftueshëm për të përballuar jetesën në Vlorë.

Ndaj ka mes tyre që thonë se janë detyruar të shkojnë të kërkojnë strehë tek familjarët.

"Unë e kam bërë kontratën për 150, të tjerat i vë vetë unë ato plus që është uji dhe dritat," thotë banorja.

"Nuk është i mjaftueshëm. Me 130 mijë të vjetra nuk ja dalim dot, ne kemi ngelur endacakë në rrugë të madhe," thotë qytetari.

Që në nisje projekti është shoqëruar me pakënaqësi e kritika ndaj bashkisë së Vlorës për trajtimin e familjeve që mbetën pa shtëpi.