Gjiknuri: Marrim 9 mandate në qarkun e Vlorës, vota e 25 prillit, mirënjohje për investimet e kryera
Damian Gjiknuri beson se në Vlorë do të marrin më shumë se 8 mandate, numër në të cilin renditet Edi Rama në listë. Në Kaninë drejtuesi politik i socialistëve shprehet se investimet e bëra do të përkthehen ën vota në 25 prill.
Drejtuesi i PS-së në qarkun e Vlorës ka kërkuar votën e banorëve të Kaninës me premtimin e realizimit të projekteve në zonat rurale.
Sipas tij investimet në qytetin bregdetar kalojnë shifrën e 1 miliardë euro ndaj dhe u shpreh i bindur se do të ketë mbështetje në mandatin e tretë
Gjiknuri: Jam krenar që do të përfaqësoj në Parlament edhe banorët e Kaninës, si një zë i fortë për shumë më tepër investime për këtë zonë. Investimet e vazhdueshme në Vlorë në këto dy mandate qeverisëse, aq sa nuk janë bërë për dekada të tërë, janë tregues real i faktit se Vlora është kthyer në polin më të rëndësishëm të investimeve në Shqipëri. Investimet madhore prej një miliard euro në Qarkun e Vlorës janë vijimësi e projektit politiko-ekonomik që Kryeministri u zotua që në marrje të mandatit të tij qeverisës. Gjithçka e nisur duhet të vijojë, që të mos kthehemi në regres. Duhet të çojmë në fund atë që kemi nisur. Me ekipin përfaqësues ne do të sigurojmë jo 8 mandate por 9 mandate, duke patur përfaqësimin më të madh për Partinë Socialiste në parlament.
Sipas tij, me investimet madhore, punët e mira dhe tanimë veprat konkrete, vota për Partinë Socialiste është një borxh i të gjithë vlonjateve ndaj kryeministrit Rama.
Gjiknuri theksoi se në mandatin e tretë, ai si përfaqësues i banorëve të Kaninës do të jetë mbështetje për investime në zonë.
Gjknuri: Edhe Kanina, përmes votës për Partinë Socialiste e ka shansin për zhvillim të mëtejshëm, pasi projekti politik- ekonomik për Vlorën do të përfundojë me zhvillimin ekonomik e infrastrukturor të fshatrave. Ashtu siç u realizua investimi madhor i rrugës së Kaninës, e cila i mundësoi perspektivë të mëtejshme zhvillimit turistik, apo edhe investimi për rrjetin elektrik, në këtë mandat të tretë qeverisës do të zgjidhet problem i ujit, përmes projektit të ujësjellësit si dhe problematikat e pronave në të gjithë zonën. Jam i bindur se ju do ta reflektoni mbështetjen tuaj përmes votës për Partinë Socialiste, të vetmes forcë politike që i konkretizon programet politike në punë, investime dhe vepra reale. Vota për Partinë Socialiste është garancia për të çuar para projektet e nisura.
Kryesocialisti Edi Rama renditet i teti në qytetin bregdetar, por Gjiknuri shpreh bindjen se PS do të ketë më shumë mandate
Së bashku me Gjiknurin në Vlorë ishte dhe deputeti Fate Velaj i cili u shpreh se do të japë mbështetjen për skuadrën e socialistëve pavarësisht se nuk është kandidat