Rama reagon ndaj Vuçiçit: Nxori hartë leshi, loz me kukulla në Facebook

Kryeministri Edi Rama nuk i është përgjigjur menjëherë presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç mbi provokimin e bërë kur postoi flamurin e vendit të tij mbi hartën e Kosovës.

Për të reaguar ndaj atij që dikur e cilësonte mikun e tij, kreu i qeverisë shqiptare ka zgjedhur vaksinimin e 50 mjekëve të Kosovës. Nga Kukësi Rama përgjigjet me bashkëpunimin me Kosovën.

"U vonua pak pala tjetër, por më mirë kështu që kjo ndodhi pas asaj hartës së leshit që nxori dje ai shoku në Beograd duke luajtur me kukulla në facebook. Ne jemi një , e ardhmja dihet se cila është, për atë ëndërrojmë dhe punojmë të gjithë. Sigurisht kemi qasje ndoshta nganjëherë të ndryshme, por në të tashmen ne jemi absolutisht një. Jam shumë  i lumtur që e kemi çarë atë bllokadën e tmerrshme të pamundësisë për t'u vaksinuar të Kosovës," tha Rama.

Mjekët nga ana e tyre theksuan se vaksinimi me AstraZeneca për ta nuk sjell asnjë problem.

"Jo s'kemi asnjë frikë. As në luftë s'kemi pasur frikë," thotë një mjek.

Kryeministri ka inspektuar dhe injektimin e dozave në ambientet e krijuara në pallatin e sporteve ku theksoi se do të vazhdojë bashkëpunimi me Kosovën sa i përket bluzave të bardha.

"Kemi filluar me 500, do vazhdojmë patjetër, ne nuk do t'i lëmë vetëm atje sepse ne jemi një," tha Rama.

Në Shqipëri prej nisjes së vaksinimit kanë marrë dozën rreth 42 mijë persona, ku përfshihen mjek, mësues dhe të moshuar mbi 80 vjeç.

Lexo edhe: Vuçiç provokon rëndë me flamurin serb mbi hartën e Kosovës, nis fushata e reporteve në Instagram