Arrestohet Pjetër Shala në bazë të aktakuzës së Gjykatës Speciale

Ish-pjestari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, pritet të gjykohet me ish-udhëheqësit e UÇK-së në Gjykatën Speciale.

Shala u arrestua të martën në Belgjikë pas akuzave për krime lufte që ngritën prokurorët e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Ish-ushtari i UÇK-së që njihej me pseudonimin "Komandant Ujku" gjatë periudhës së luftës, operoi në Zonën e Dukagjinit përballë forcave serbe.

Në shkurt të vitit 2019, ai u thirr edhe në Hagë si i dyshuar për krimet e kohës.

Aktakuza për Shalën pritet të bëhet publike pasi të transferohet për paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Aktualisht atje gjenden ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, bashkë me ish-luftëtarë apo persona të aktivizuar me UÇK-në në vitet 1998-1999.

Krimet që rëndojnë ndaj tyre janë vrasje, tortura dhe ndalime të paligjshme të civilëve apo ushtarëve serbë.