Haradinaj heq dorë nga presidenti: Kundër përqëndrimit të pushteteve në duart e Kurtit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj heq dorë nga ambicia për të qenë president i vendit.

Pas takimit me fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurti dhe Vjosa Osmanin, ish kryeministri është shprehur se është përgjegjësi e tyre të gjejnë formulën e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se është kundër përqëndrimit të të gjitha pushteteve në duart e Kurtit.

Para gazetarëve, Haradinaj theksoi edhe se kërcënimi me zgjedhje të reja, në rast të moszgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente, nuk është në favor të askujt.

“Fituesit e zgjedhjeve të gjejnë formulën me krijuar qeverinë. Shumicën për presidentin është në përgjegjësinë e tyre. Në këtë rast si AAK nuk e kemi këtë mundësi me krijuar këtë shumicë me dy të tretat në parlament. Ajo çka na mbetet është një rol opozitar në shërbim të vendit…Detyra jonë nuk është me përkrah koncetrimin e pushteteve në një dorë. Pra zotëri Kurtin. Populli ia ka dhënë votën, shumicën për krijimin e qeverisë, nuk ia ka dhënë dy të tretat edhe për presidentin. Është përgjegjësi e tyre si e bëjnë dy të tretat e votës, sepse kuorumi është votë. Si AAK do të marrim vendimet në organet e partisë si do të veprojmë në çdo rast”, u shpreh Haradinaj.

Ai tha se fituesit e zgjedhjeve duhet ta implementojnë rezultatin e 14 shkurtit, e jo ta qojnë vendin në zgjedhje të reja.

“Fituesit e zgjedhjeve e mbajnë përgjegjësi me implementu rezultatin, jo me qu vendin në zgjedhje. Kuptohet se kërcënimi me zgjedhje nuk i shkon përshtati askujt. Por si AAK jemi të gatshëm me shku në zgjedhje, jo tash por çdo herë”, është shprehur Haradinaj.

Sipas kreut të AAK-së, në takim ka përmendur edhe metodat e vjetra të përbashkëta të opozitarizimit, për të cilat tha se nuk do t’i përdorë ndaj qeverisë së ardhshme.

“Dikur opozitën e kemi bërë së bashku me Kurtin, i tregova atij që nuk do të përdorim ato metodat tona të vjetra të opozitarizimit, që i kemi pas së bashku sepse edhe unë jam plak pak. Nuk mundem më me ato metoda. Por që do të jemi një opozitë me krijuar funksionimin e demokracisë pozitë-opozitë”, tha ai.

Gjatë ditës së sotme, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani u takuan edhe me kryetarin e PDK-së, Enver Hoxhaj.

Konferenca për shtyp e Haradinajt: