Shqipëria jep 500 vaksina për mjekë e infermierë të spitaleve Covid në Kosovë
500 mjekë dhe infermierë të spitaleve Covid në Kosovë së shpejti do të marrin vaksinat anti-Covid. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla, i cili përmes një statusi në Facebook njofton se ka marrë konfirmimin e kryeministrit Edi Rama për sigurimin e 500 dozave për mjekët të cilët do të vaksinohen në Kukës.
"Të nderuar pas shumë përpjekjeve sot kam marrë një telefonat nga Kryeministri i Shqipërisë Zoti EDI RAMA i cili më konfirmoj sigurimin e vaksinave të para për punëtorët shëndetsorë të cilat do ti marrin në Kukës. Fillimisht numri i tyre është rreth 500 doza. Federata së bashku me menagjmentin nga sonte ka filluar të përpilojmë listat , kuptohet së pari për punëtorët që janë në vijën e parë të frontit me Covid 19.Po ashtu nesër Unë si përfaqësuses i punëtorëve të shëndetësisë se Kosovës do të shkoj në Tiranë për detalet teknike me qëllim të realizimit të këtij procesi.Transportin deri ne Kukës do ta organizoj FSSHK (për detale ju njoftojmë me kohë).Te nderuar me lejoni që në emrin tim dhe tuaj ta faleminderoj Kryeministrin Rama si dhe Ambasadorin e RKS në Tiranë zotin Nait Hasanin duke mos i harruar edhe të tjerët për të cilet do të flasim në ditët në vijim.NA PRIFT E MBARA".
Me ardhjen e 38 400 dozave të vaksinës nga AstraZenecas 6 ditë më parë, kryeministri Rama tha se do të mundësohet vaksinimi i mjekëve dhe infermierëve të spitaleve Covid në Kosovë.
“Jemi gati nga dita e nesërme të organizohemi sëbashku me Kosovën për tu dhënë mundësi mjekëve dhe infermierrëve të spitaleve Covid duke filluar nga spitali Covid i Prishtinës që të vijnë dhe vaksinohen në Kukës. I presim me shumë kënaqësi vëllazërisht që nesër, do të rilidhemi me strukturat përkatëse atje, Ministrin aktual të Shëndetësisë për ta bërë këtë të mundur nëse dëshirojnë por nuk mendoj se do të ketë mungesë dëshire pasi do të ishte shumë e rëndësishme që edhe në Kosovë të thyhet kjo pengesë e tmerrshme e mungesës së dozës së parë dhe më tutje shpresoj që edhe Kosova të ketë dozat e saj” deklaroi Rama me 12 mars.