Besimi në Zot më i fortë se Covidi, qindra qytetarë vizituan kishën në Laç të martën e parë të pelegrinazhit
Në Kishën e Shna Ndout në Laç nisi pelegrinazhi i 13 të martave që për të dytin vit mbahet mes pandemisë së koronavirusit. Me besimin në Zot, pelegrinët u lutën për shëndet e mirësi në këtë kohë të vështirë që po jetojmë.
Rrezikun e koronavirusit e sfidojnë me besimin në Zot.
Të shumtë ishin besimtarët që u ngjitën në Kishën e Shna Ndout të Laç në ditën e parë të pelegrinazhit të 13 të martave.
Në vendin e cilësuar të shenjtë kërkojnë shërim.
Luten për shëndet, harmoni e begati.
Janë nga çdo skaj i vendit dhe përfaqësojnë besime të ndryshme por janë të devotshëm në Kishën e Shna Ndout pasi besojnë në mrekullitë e saj.
"Më sollën kalamajtë i bekoftë Zoti.Këtu vijnë nga gjithë qytetet. Tani po kthehem në shtëpi dhe ndihem e kënaqur, më duket sikur më ndihmoi që tani" thotë një e moshuar.
Përfaqësuesit e Kishes thonë se përgjatë gjithë këtyre javëve të pelegrinazhit do të jenë në shërbim të besimtareve.
"Shqiptarët sot po heqin keq për shkak të Covid, virusit. Zoti edhe aty ku bëhet një situatë e vështirë gjithmonë do me nxjerr të mirë më të madhe. Uroj që Zoti t'ua shëndrisë jetën dhe të ardhmen të gjitha shqiptarëve."
Policia e Lezhës thotë se ka marrë të gjitha masat për të garantuar mbarëvajtjen e pelegrinazhit që kulmon më 13 Qershor, ndërsa përgjatë 13 të martave Kisha e Shna Ndout vizitohet nga mijëra pelegrinë.