Mësuesit në Elbasan e Durrës e Vlorë refuzojnë të vaksinohen me AstraZeneca
Ka nisur të martën, 16 mars, dita e dytë e vaksinimit të mësuesve, edukatorëve dhe stafeve mbështetës në shumë qytete të vendit tonë.
Ashtu si ditën e parë, dozat e vaksinës AstraZeneca janë pritur edhe me skepticizëm nga disa mësues. Klikoni Video kroniken ne youtube
Në Korçë autoritetet thonë se ata që kanë refuzuar vaksinën e kanë bërë për arsye personale duke refuzuar të përgjigjen nëse është pikërisht lloji i vaksinës që i ka shtyrë ata të mos e injektojnë atë.
"Unë nuk mund të quaj asnjë kundërshtim, përveç faktit refuzim për t'u vaksinuar. Pra, nuk quaj kundërshtime. Gjithsecili i ka personale."
100 nga 1300 pjesëtarë të stafeve pedagogjike nga Korça, Maliqi dhe Pusteci janë vaksinuar ditën e parë.
Situata më shqetësuese paraqitet në Elbasan, aty ku mësohet se nga 1200 mësues, rreth 50% e tyre nuk kanë pranuar që ta bëjnë atë.
Vaksinimi ka nisur edhe në Gjirokastër ku rreth 82 % e mësuesve kanë pranuar të vaksinohen.
"Natyrisht janë marrë të gjitha masat, siç e shikoni edhe këtu pjesëmarrja është e kënaqshme. Do thosha që janë diku te 250 arsimtarë, që e llogaritur në përqindje do të thotë 83% e tyre kanë pranuar të vaksinohen."
Në Dibër, pavarësisht se disa shtete Europiane kanë bllokuar tanimë vaksinën, autoritetet shprehen të bindur për efikasitetin e vaksinës.
"Qytetarët e Dibrës nuk duhet të kenë asnjë hezitim dhe asnjë dilemë në lidhje me vaksinimin sepse edhe kjo vaksinë ashtu si Pfizer është e çertefikuar nga Komisioni Europian."
Burimet saktësojnë se në Vlorë krahas mësuesve që kanë marrë dozën e vaksinës shumë të tjerë e kanë refuzuar atë.
Vaksinimi ka nisur edhe në Berat e Fushë Krujë, ndërsa pritet të nisë në Fier e Durrës.