Qeveria "ndryshon" qëndrim: Lejon përdorimin e vaksinave kineze dhe ruse në popullatë

Ndonëse para pak kohësh Rama e refuzoi një ftesë për vaksina ruse, duket se qeveria shqiptare ka ndryshuar "mendim" lidhur me këtë çështje.

Përmes një akti normativ të datës 12 mars 2021 të publikuar në Fletoren Zyrtare parashikohet që të lejohet edhe përdorimin e vaksinave që nuk janë të certifikuara nga Agjencia Evropiane e Barnave apo FDA-ja amerikane.

Këto institucione momentalisht kanë certifikuar vaksina si Pfizer /BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca.

Ndërkohë, vaksinat ruse dhe kineze nuk janë autorizuar nga këto institucione perëndimore.

pra, sipas këtij parashikimi në Shqipëri mund të përdoren edhe vaksina që janë prodhuar dhe aprovuar nga trupa të tjerë certifikues të vendeve që prodhojnë vaksina kundër Covid-19.

"Neni 2

Aprovimi i përdorimit të vaksinës në popullatë

Vaksinat anticovid-19 aprovohen për përdorim  në  popullatë  bazuar  në  aprovimet e Food   and   Drugs Administration të   Shteteve   të Bashkuara   të   Amerikës   (FDA), ose European Medicine  Agency (EMA)  të  Bashkimit  Evropian ose  të  trupave  të  tjera  certifikuese  të  vendeve  që prodhojnë vaksina anticovid-19." - thuhet në VKM.

Sic duket, për shkak të nevojës së vaksinave për vendin tonë, qeveria i ka lejuar vetës që t'i sigurojë ato edhe nga vende si Rusia dhe Kina që momentalisht prodhojnë vaksina.