Rama bën diversion nga Lezha: LSI problemi më i madh i vendit. PD është ndryshe
Kryeministri Edi Rama u ndal sot në Lezhë ku gjatë fjalës së tij nuk kurseu sulmet nga Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Teksa u shpreh se Partia Socialiste është në vrapim drejt 25 prillit për të marrë 4 nga 7 mandatet e qarkut në fjalë, Rama tentoi sërish të bënte diversion mes opozitës teksa “mori me të mira” Partinë Demokratik, ndërsa e quajti LSI-në problemin më të madh në vend.
"LSI problemi më i madh i vendit tonë, i jetës sonë politike. PD, sado e lodhur të jetë, mbetet një parti politike në krahasim me LSI-në", tha ndër të tjera Rama.
Më tej, kreu i mazhorancës nuk kurseu as ironitë me kandidatët për deputetë nga lista e demokratëve.
"Nëse do marrim katër deputetë, tre deputetët e PD, janë banorë Tirane që do vijnë në Lezhë për të pirë kafe. Në të gjitha zonat kemi gjetur përfaqësues të territorit, që i dinë hallet e njerëzve. Kemi njerëz që do të kthehen këtu, nuk do shkojnë të vazhdojnë një jetë mes parlamentit, klubeve mediatike dhe shtëpisë së tyre në Tiranë për ta përdorur Lezhën për fundjavë”, u shpreh Rama.