Pak çaste para vrasjes/ Pamjet ekskluzive kur autori ndjek pas viktimën Behar Sofia
Ora News siguron pamjet ekskluzive të momentit të vrasjes së Behar Sofisë.
Videoja, e siguruar nga gazetari i kronikës në Ora News, Elton Qyno, tregon të gjithë dinamikën e ngjarjes që tronditi kryeqytetin mëngjesin e 25 Shkurtit.
Filmimet tregojnë Ernejt Shytin, duke e ndjekur nga pas Sofinë, ku Shyti shfaqet tërësisht i mbuluar, pasi në kokë mbante dhe kapuçin e xhupit të zi. Ndërsa duart i mbante në xhepa.
“Pamjet filmike e tregojnë qartë mënyrën e ekzekutimit dhe mënyrën se si ka vepruar autori i krimit. Faktikisht është një ngjarje që në momentin kur ndodhi krimi ngriheshin dyshime të forta se nuk do të zbardhej. Por fakti se ka ndodhur në një zonë ku kishte kamera, por edhe sekuestrimi I pamjeve të tjera filmike, te ambasada ruse, te presidenca, pranë fakultetit të Gjeologji-Minierave, ku janë gjetur edhe rrobat e autorit të krimit, pa dyshim që sollën edhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë", tha Qyno, i ftuar në Ora News.
Sipas gazetarit, ka edhe pamje filmike të tjera që tregojnë edhe momentin kur del nga banesa e tij.
"Pa dyshim që pamjet që kemi publikuar sot janë të rënda por tregojnë një tablo të plotë dhe të vërtetën se si ka ndodhur krimi. Faktikisht janë edhe disa pamje të tjera filmike që tregojnë momentin kur Behar Sofia del nga banesa e tij. Më pas ka marrë bulevardin pranë qendrës tregtare ETC dhe më pas shihet shumë qartë kur del në trotuarin buzë lumit të Lanës. Pikërisht personi që bën disa ecje-jakje në vendin e krimit është personi me kapuç, në fytyrë mban një maskë kirurgjikale dhe mandej fillon dhe ndjek pikërisht personin që ishte ngarkuar për të eleminuar”, shtoi Elton Qyno.
Lexo edhe: Rrengu: Pas ekzekutimit të Behar Sofisë iku duke çaluar pritet të marrë statusin e të penduarit
Ecja e tij i ngjason një invalidi, pasi Shyti si para dhe pas vrasjes shfaqet duke çaluar, truk të cilin e ka përdorur për të mos krijuar dyshime.
Shyti, u arrestua teksa punonte si pllakashtrues në aeroportin e Malit të Zi, ku më pas është deportuar menjëherë.
Sipas dëshmisë që ai ka dhënë në polici, ofertën e parë për të kryer vrasjen e Sofisë, e kishte marrë nga shoku i tij, Xhuljano Visha.
Përveç autorit, Ernejt Shyti, për vrasjen e Sofisë janë arrestuar edhe Skëndër Vathi, Leonard Xhixha dhe Xhuliano Visha.
Lexo edhe: U shtir si invalid, ja truku që përdori vrasësi,duke çaluar ekzekutoi Behar Sofinë