Përjashtimi i Dritan Lelit, Murati: Marrëdhënie jo të lumtura me Ramën vitet e fundit
I ftuar në Ora News, gazetari dhe analisti Erl Murati komentoi zhvillimet e orëve të fundit brenda PS në Vlorë pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama për të lënë jashtë fushate kryebashkiakun Dritan Leli.
Sipas Muratit, ky është një zhvillim surprizë, ndërsa shtoi se nuk mund të përjashton nga partia një drejtues vetëm se nuk pranoi të kandidojë për deputet më 25 Prill.
“Ky ishte një zhvillim i papritur dhe surprizë do të thoja unë, gjithnjë nëse është i vërtetë lajmi për përjashtimin nga strukturat e PS e kryebashkiakut Leli pasi dihet se ka patur një debat ditët e fundit por edhe një marrëdhënie të palumtur gjatë muajve dhe viteve të fundit me kryeministrin Rama, sa i përket performancës së bashkisë së Vlorës në tërësi, jo individualisht Leli. Është një lëvizje e tepruar ta përjashtosh nga partia një përfaqësues politik vetëm pse nuk donte të përfshihej në listat e kandidatëve për deputetë. Sërish jam në fushën e spekulimit se ende nuk ka një njoftim zyrtar nëse kjo është e vërtetë ose jo”, u shpreh Murati.
I pyetur nga gazetarja Matilda Mcini lidhur me deklaratën e kryeministrit Edi Rama se, “hesapet me drejtuesit e Vlorës do ti bëjë pas zgjedhjeve të 25 Prillit”, Erl Murati deklaroi: “Duhet të jemi korrekt. Lajmi që është publikuar nga shumë media është se, zoti Leli është përjashtuar nga fushat, jo nga strukturat e PS. Kjo është e kuptueshme se përsa kohë një kryetar bashkie nuk pranon të marrë pjesë në një aksion politik, sepse nuk bëhet fjalë për kandidim individual, këtu jemi para zgjedhjeve parlamentare, zgjedhjeve të përgjithshme. Është drejtues i lartë politik, që ka edhe përgjegjësi. Ai ka merita por ka edhe përgjegjësi karshi familjes politike”.
Lexo edhe: Leli e refuzoi, Rama e përjashton nga PS: Hesapet me kryebashkiakun e Vlorës pas 25 prillit
Dritan Leli është kryebashkiaku i dytë vlonjat që pas konflikteve me Ramën përjashtohet nga partia, por mbetet për t’u parë nësë fati i tij do të jetë i ngjashëm me të Shpëtim Gjikës.
Megjithatë në takimin me kandidatët e listës, Rama ka injoruar kryebashkiakun e Vlorës dhe Alket Hysenin që u tërhoq nga gara, duke mos folur për ndarjen e tyre.
“Kanë vajtur të dy bashkë…”
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për web Aurel Rakipllari