Korini: Mësimi online zgjidhje, jo zgjedhje, politika nuk duhet të përfshihet në arsim
Në një intervistë për Ora News, ekspertja e Arsimit, Sanie Korini u shpreh se rritja e analfabetizmit në vendin tonë ka lidhje me faktorë socialë dhe ekonomikë.
Korini tha se mësimi online ishte një zgjedhje e detyruar, pasi është bërë e mundur që të zbutet sa më shumë mosmarrje e informacionit në situatën e pandemisë.
Korini: Mendoj se rritja e analfabetizmit në vendin tonë ka lidhje me faktorë socialë dhe ekonomikë. Për hir të së vërtetës unë ushtroj aktivitet në Tiranë dhe më herët e kam pasur në Vlorë. Këto zona i përkushtojnë vëmendje të jashtëzakonshme mësimit, por mendoj se elementë të tillë vijnë nga zonat molare dhe të thella, aty ku nuk ka infrastrukturë. Arsimi në momente qetësia ka problematika, ndërsa në pandemi, këto problematika vijnë si një ortek.
Lidhur me mësimin online ishim të detyruar, pasi nuk ishte një zgjedhje, por një zgjedhje që ne e bëmë. Ne duhet të përpiqemi që ta zbusim sa më shumë atë mosmarrjen e informacionit, sepse mësimi online është shumë më mirë se sa pa mësim fare. Në vendin tonë problem është edhe analfabetizmi funksional. Ne kemi punuar që të kemi një afrim me mendësinë evropiane dhe të një shoqërie të hapur.
Korini shtoi se shumë individë dhe të rinj shqiptarë emigrojnë, çka sipas saj është një ndër nga pikat më të dhimbshme të vendit.
Korini: Arsimi nuk ka dhe nuk duhet të ketë kurrë lidhje me politikën. Nuk duhet përdorur referuar asaj. Cili kryeministër do të donte që shtetasit e tij të mos ishin të zhvilluar dhe të arsimuar? Ne nuk jemi një vend i izoluar nga bota, jemi pjesë e saj. Shumë individë dhe të rinj shqiptarë emigrojnë, çka mendoj se është një ndër nga pikat më të dhimbshme të vendit. Pse të mos i mbajmë për vete këta të rinj që dalin të shkolluar?