United-Milan, "Djajtë" përplasen sot në "Old Trafford"

 Pas Champions League, sot ngre siparin faza e 1/16-ve të Europa League ku mes 8 sfidave spikat ajo e "Old Trafford" mes Manchester United dhe Milan.

Dy ndër klubet me më shumë emër dhe tifozë jo vetëm në Kontinentin e Vjetër, por gjithashtu edhe në rruzull do të masin forcat fillimisht në ndeshjen e vajtjes, në stadiumin "Old Trafford".

Dy sfidat e fundit ndërmjet tyre janë regjistruar në verën e viteve 2018 e 2019, në ndeshje ekzibicioni në International Champions Cup, respektivisht në Rose Bowl në Pasadena të Kalifornisë dhe Millenium Stadium të Kardifit, e vlen të theksohet fakti se në të dy rastet kanë triumfuar pas gjuajtjes së 11-metërshave "Djajtë e Kuq".

Deri tani United dhe Milani ishin takuar vetëm në Champions, ndërsa këtë herë rrethanat mundësojnë një përplasje krejtësisht të vecantë ndërmjet tyre në Europa League.

Edhe bilanci ndërmjet tyre është vërtet i rrallë, si për të konfirmuar madhështinë e këtyre dy klubeve.

United dhe Milani janë ndeshur 10 herë në Champions League dhe në Kupën e Kampioneve, e bilanci i përgjithshëm përmban nga 5 fitore për secilin ekip, sidoqoftë në tre sfidat me eliminim të drejtpërdrejtë, që si për ironi të fatit janë regjistruar gjithmonë në fazën gjysmëfinale, kanë ngadhënjyer përherë kuqezinjtë e Milanit.

"Red Devils" konsiderohen si ekipi favorit për të triumfuar në edicionin e sivjetshëm jubilar të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të Kupave të Evropës, sidoqoftë trajneri Ole Gunnar Solskjaer nuk do të ketë në dispozicion sulmuesin Marcus Rashford dhe mbetet për t’u parë se çfarë lloj zgjedhjesh do të bëjë 48-vjecari norvegjez duke patur parasysh problemet e shumta fizike që ka një pjesë e mirë e lojtarëve, apo dhe sfidën e fortë me Ëest Ham-in, të dielën në mbrëmje.

Në krahun tjetër disfata 3-0 në derbin e Madoninës përfaqëson humbjen e fundit për kuqezinjtë. Dëmtimet dhe ngjeshja e kalendarit krijuan një distancim në klasifikimin e Serie A, por gjithsesi duke parë diferencën e vogël Milani ushqen ende shpresa për një titull që i mungon prej plot një dekade në kampionatin italian.

Telashe të shumta përsa i përket formacionit ka gjithashtu edhe trajneri Stefano Pioli, që nuk ka në dispozicion ish-sulmuesin veteran të djajve të kuq Zlatan Ibrahimovic dhe lojtarë të tjerë si Theo Hernandez, Ante Rebic, Hakan Calhanoglu, Ismael Bennacer apo dhe Mario Mandzukic. Ashtu si United edhe Milani do të zbresë në fushë në kampionat po të dielën në mbrëmje, në Stadiumin Giuseppe Meazza me ekipin e Napolit.

Lajme të mira vijnë nga prania e dyshes Romagnoli – Tonali në avionin që mori fluturimin për në ishull.

United–Milan starton në orën 18:55 dhe do të drejtohet nga arbitri slloven Slavko Vincic.

Ndeshjet që luhen sot