Borë e ngrica në pranverë/ Reshjet rikthehen edhe në juglindje, problematika në zonat e thella
Pas veriut, dëbora dhe temperaturat e ulta në pranverë u rikthyen edhe në Juglindje.
Reshjet në qarkun e Korçës nisën gjatë natës, kur termometri zbriti deri në 4 gradë nën zero, dhe në mëngjes, trashësia në disa zona arriti deri në 10 Centimetra.
Rruga e Voskopojës dhe Qafa e Qarrit, u raportuan të qarkullueshme pa probleme, ndërsa drejt Dardhës lëvizja rekomandohet të bëhet me zinxhirë.
Në akset Qaf/Thanë -Dogana Qaf/Thanë, Lin-Pogradec, Qaf/Plloçë-Sovjan dhe Voskop- Voskopojë, sikurse në rrugët rurale nuk ka probleme, por kërkohet kujdes nga ana e drejtuesve të mjeteve.
Në qarkun e Dibrës, u trashësia e dëborës varion nga 10 cm në qytet deri 25cm në zonat e thella.
Rrugët kombëtare janë të qarkullueshme, por në orët e mëngjesit ishin nën pushtetin e ngricave çka është bërë shkak për aksidente në rrugën Bulqizë-Klos.
Në qarkun e Kukësit, në disa rrugë rurale lëvizet vetëm me zinxhirë, përveç rrugës që lidh njësinë Arrën me rrugën nacionale.
Bora dhe ngricat në mars, kanë sjellë pasoja kryesisht në frutikulturë.
Fermerët shpresojnë që këto kushte atmosferike të mos zgjasin pasi dëmet mund të jetë të mëdha.
“Bora ka dëmtuar disa pemë që kanë qenë gati duke çelur.”
Sipas parashikimit, moti këtë të enjte do të dominohet nga mot i qëndrueshëm me alternime kthjellimesh dhe vranësirash në të gjithë vendin.