KLGJ shtyn vendimin për gjyqtaren Hoxha, Inspektoriati: Diskretitoi rëndë figurën, të shkarkohet
Për here të dytë brenda pak ditësh gjyqtarja e Krujës, Enkeleda Hoxha është shoqëruar me policë në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
KlGJ kishte caktuar sot seancën për konkluzionet përfundimtare të inspektorit dhe mbrojtjes në lidhje me kërkesën për shkarkimin nga detyra të magjistrates së akuzuar për korrupsion.
Pavarësisht pretendimeve të paraqitura nga avokati i gjyqtares, kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë këmbënguli në kërkesën per shkarkimin e Enkeleda Hoxhës.
Metani tha se nga inspektimi që i është bërë dosjeve arrihet ne konkluzionin se shkeljet e gjyqtares janë serioze dhe kanë diskretituar rëndë figurën e magjistratit duke e bërë të padenjë për të vijuar të ushtrojë këtë detyrë.
Ndërsa avokati mbrojtës Ardian Visha pretendoi se një gjyqtar nuk mund te shkarkohet nga detyra vetëm për një kazus.
Ai ka pranuar se përsa i takon lirimit të Hekuran Billës ka shkelje për llogaritjen e viteve të dënimit por jo një kazus për shkarkim.
Pasi ka dëgjuar palët, KLGJ është tërhequr për të dhënë vendimin në dalën 17 mars ndërsa në 16 mars para KLP-së do të dalë prokurori i Krujës Bujar Memia, për të cilin inspektori ka kërkuar shkarkimin nga detyra për të njëtin rast që lidhet me lirimin e Hekuran Billës që mbeti i vrarë disa muaj pasi fitoi lirinë.
Raportimi i ngjarjes ne kohe reale
Ditën e sotme është mbajtur seanca në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor për shkarkimin e gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha nga detyra.
Ora 11:34/ KLGJ nuk ka vendosur as sot nëse do të pranojë kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha. Seanca do të shtyhet
Të gjitha palët kanë paraqitur konkluzionet në këtë seancë, ndërkohë që të dyja palët nuk janë tërhequr nga pretendimet e tyre. Avokati i Hoxhës ka thënë se pretendimet ndaj gjyqtares së Krujës nuk përbëjnë vërtetësi për shkarkimin nga detyra, por marrjen e një mase tjetër.
Ora 10:15/ Gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha është paraqitur ditën e sotme në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Ajo do të njihet me vendimin në lidhje me shkarkimin e saj nga KLGJ.
Gjyqtarja do të japë konkluzionet e saj për kërkesat që ka paraqitur Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për shkarkimin e saj nga statusi i magjistratit.
Hoxha është shoqëruar nga efektivë të policisë me një fugon të Drejtorisë së Policisë.
*Nis seanca në KLGJ/ konkluzionet e palëve:
METANI: Në përfundim të këtij procedimi disiplinor, si për sa i përket fakteve të provuara dhe pretendimeve të paraqitura nga ana e magjistrates, subjekt procedimi disiplinor, në cilësinë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, përfundimisht vlerësoj se gjatë këtij procedimi disiplinor rezulton e provuar se:
-Nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha janë ndërmarrë veprime/mosveprime të cilat kanë të bëjmë me mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal
-Nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha, nuk janë marrë prova vendimtare për zgjidhjen e çështjes duke cënuar parimin e paanësisë së gjykimit
-Nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha i është atribuar dhënia e cilësive të ndryshme, herë si i paraburgosur dhe herë si i dënuar, gjatë periudhave të njëjta në funksion të pranimit të çdo kërkese të paraqitur nga ana e të njëjtit kërkues;
-Nga ana e magistrates është aplikuar ulja e njëkohshme e dënimit për periudha më të gjata se periudha 12 mujore e vlerësimit të parashikuar në Ligjin nr. 8328/2008 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar.
-Nga ana e magistrates nuk janë respektuar kriteret ndaluese për përfitim amnistie
-Në 5 procese gjyqësore është konstatuar një mungesë thelbësore në arsyetimin e vendimeve gjyqësore
-Arrihet në konkluzionin se veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha janë aq serioze sa kanë cenuar vlerat themelore të saj; besimin që magjistrati duhet të përcjellë te publiku në përmbushjen e misionit dhe rolit të tij në dhënien e drejtësisë; kanë diskretituar rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit dhe kanë ulur dinjitetin e organit që përfaqëson duke e bërë atë të pa denjë për vazhdimin e ushtrimit të funksionit të magjistratit.
Kërkojmë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor:
Të administrojë provat e paraqitura nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në këtë procedim disiplinor
Të pranojë kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates Enkeleida Hoxha, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 140, pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nga neni 102, pika 1 shkronjat “ç” dhe “dh” dhe neni 102, pika 2, shkronjat “a” dhe “c”, të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe caktimin ndaj saj të masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”.
Foto LSA
