Meta: Po të kishim reformë dhe jo Ramaformë, autorët e "184" dhe "339" nuk do ishin sot kandidatë

Presidenti i Republikës Ilir Meta, në një intervistë për TV Apollon në Fier, është shprehur se, demokracinë në Shqipëri e ka kapur koncepti i partisë-shtet përmes kapjes së të gjitha institucioneve.

Sipas tij, për këtë arsye zgjedhjet e 25 prillit janë shumë të rëndësishme për ti dhënë për një restart të demokracisë, të shtetit të së drejtës, të garantimit të të drejtave kushtetuese që cenohen çdo ditë.

“Të mos lejojmë më që autoritarizmi të bëjë një hap përpara sepse një popull që fle në demokraci, zgjohet në diktaturë. Që të parandalojmë një gjë të tillë duhet të mbrojmë sistemin duke reaguar sa herë preket e drejta dhe liria e çdo qytetari”, u shpreh Meta.

Presidenti  deklaroi më tej se ka fituar në çdo betejë me mazhorancën dhe këtë e ka konfirmuar edhe Komisioni i Venecias.

“Nëse do kishim pasur Reformë dhe jo Ramaformë në Drejtësi, autorët e dosjeve të Shijakut dhe të Dibrës nuk do të ishin sot kandidatë për deputetë në Vlorë, në Tiranë, në Durrës apo edhe në Dibër”, u shpreh ai.

Kreu i Shtetit tha më tej se nuk pret të kemi zgjedhje të standardeve daneze në një vend ku qeveria prish Marrëveshjen e 5 Qershorit dhe ndryshon Kushtetutën me një Kuvend që të gjithë shqiptarët e dine se çfarë përfaqëson.

Lexo edhe: Meta: Zgjedhjet e 25 Prillit, më të rëndësishmet që nga Kongresi i Lushnjës