BOOM: Eminas i Vogël, pjesë e 100 fshatrave turistikë, pa rrugë e me shtëpi të dëmtuara nga tërmeti

Boom udhëtoi në fshatin Eminas i Vogël, Bashkia Shijak, pjesë e listës së 100 fshatrave turistikë.

Që në hyrje të fshatit përballesh me një kosh plehrash dhe më pas rruga për në fshat është e shkatërruar.

Një qytetare e cila jetonte në kontenier thotë se rruga është e shkatërruar dhe përveç ajrit të pastër nuk di çfarë të na thotë për fshatin.

Dy të moshuar jetojnë ende në çadër.

Kryefamiljari jeton me pompa, pasi është azmatik dhe në moshë të thyer, 85 vjeç.

Gruaja e tij tregon se presin tu përfundohet shtëpia e dëmtuar nga tërmeti.

"Punëtorët  kanë kohë pa ardhur. Ka 4-5 muaj që është bërë bazamenti i shtëpisë dhe mure deri në gjysëm dhe ka ngelur ende ashtu."

Të moshuarit jetojnë në kushte të mjerueshme në çadër në mes të ftohtit.

I moshuari tregon një qese të madhe me ilaçe ndërsa zonja thotë se jetojnë në kushte të vështira.

"Jetojmë si qameti. Më keq nuk ka nga të shkojë.”

"As qeni nuk rron kështu."

BOOM u nis për të zbuluar atraksionet turistike në fshatin Eminas i Vogël, por ndesh një realitet tjetër.

Kur grupi i xhirimit largohet zonja e shtëpisë nuk nguron t'u japë karamele, edhe pse jetojnë në varfëri të madhe.

Ndërkohë, banorët e tjerë tregojnë se nuk ka investime në këtë fshat.

"Fëmijët janë të larguar. Rruga nuk është bërë. Ata thonë se as nuse nuk vijnë në fshat. Natyra është e mrekullueshme po s’ka investime, nuk ka infrastrukturë.”

"Ka 30 vjet nuk është bërë asnjë investim. Vijnë vetëm të marrin votat. Këtë radhë jemi betuar nuk do të votojmë. Nuk ka asnjë lloj gjëje, përse të votojmë për karrige."