Lela: Duket se Yuri Kim është tërhequr nga deklaratat e saj, Rama bën spektakël, fitoi zgjedhjet me tepsi

Në një intervistë për Ora News, gazetari Alfred Lela u shpreh se nëse do të ketë të skualifikuar nga lista e deputetëve do të kuptohet se nga cila parti na vijnë këta kandidatë.

Për Lelën, duket sikur zonja Kim e ndërroi pak temperaturën e argumentet, duke e tërhequr disi nga deklarata e parë.

Lela: Nëse do të kemi të skualifikuar nga lista e deputetëve do të kuptojmë se nga cila parti na vijnë këta kandidatë. Thirrjen e ambasadores amerikane e kanë dëgjuar, por shpresojnë dhe dinë se ajo është në kuadrin e deklaratave. Nisen edhe nga një rekord i çuditshëm i ambasadores sa i takon zotit Doshi, që është shpallur non grata. Duket sikur zonja Kim e ndërroi pak temperaturën e argumentet, duke e tërhequr disi nga deklarata e parë. Kjo u mor ndoshta si një mesazh që amerikanët janë në kuadër deklaratash dhe jo më shumë.

Rama i sheh sukseset e PS-së sikur kanë të bëjnë më shumë me të, se sa me elementë rreth tij. Ai është në të menduarit pozitiv për veten, duke i parë këto suksese të tijat dhe jo të të tjerëve. Rama do që edhe në fund të thotë se kush është zot e shkop në shtëpinë socialiste. Edhe pse flet për grupin dhe ekipin ka dashur që t'i mëshojë faktit se ai i merr vendimet dhe se nuk ka jetë vertikale përtej shikimit të liderit Rama.

Lela shtoi se Rama po bën atë që bën mirë zakonisht, spektaklin politiko-elektoral dhe theksoi se kjo ka qenë një taktikë e suksesshme në zgjedhjet e kaluara.

Lela: Deklaratat e Ramës janë për hequr vëmendje nga çështje të caktuar dhe për të bërë qesharakë figura të caktuara. Ka edhe nga ata që thonë se Rama është gjendur në një gjendje paniku nga gjërat që nuk po shkojnë mirë. Të gjithë kanë mund të qëndrojnë kur po i afrohemi situatës elektorale. Rama bën atë që di të bëjë më mirë, spektaklin politiko-elektoral. E gjithë kjo është një spektakël si një bukë dhe cirk që i hidhet popullit. Kjo është një taktikë e suksesshme e Ramës, sepse ka fituar një palë zgjedhje vetëm me tepsi, timon dhe skrap. Ai kërkon që këtë herë të marrë mandatin e tretë dhe po bënë të pamundurën që të bëjë të pamundurën.