Dy sulme me tritol banesës në Fushë Krujë, pronari: Dyshoj për një miqësi të prishur
Mbetet ende pa autor tritolvënia në banesën e një familje në fshatin Halil të Fushë Krujës që u sulmua për herë të dytë në harkun e pak muajve. Kryefamiljari ngre dyshime se shkak mund të jetë një miqësi e prishur disa vite më parë.
Disa persona u shoqëruan të dyshuar për tritolvënien mbrëmjen e së martës, 9 mars 2021, në shtëpinë e Arben Pëllumbit, në fshatin Halil të Fushë Krujës.
Burimet thonë se ata janë marrë në pyetje, por deri më tani nuk konfirmohet për persona të arrestuar si autorë të dyshuar.
Ndërkohë detaje të reja janë zbuluar për shpërthimin me lëndë plasëse e shënuar rreth orës 21:50, në kufijtë e hyrjes në fuqi të orës së ndalim qarkullimit.
Për pasojë pati vetëm dëme materiale pasi në banesë nuk banon njeri. Pllumbi bashkë me vajzën 22-vjeçare dhe djalin 18-vjeçar, prej disa kohësh jetojnë në shtëpinë e vëllait në Krujë pasi ka nënën e sëmurë.
Kjo ishte hera e dytë që banesës së 48 vjeçarit Pëllumbi i vendoset eksploziv.
Për herë të parë, shtëpia u sulmua mbrëmjen e 2 tetorit të vitit të kaluar, ku edhe atë herë pati vetëm dëme materiale.
Lexo edhe: Eksploziv në derë të banesës, familja thotë se s’ka konflikte
Disa javë më vonë, tritol iu vendos edhe banesës së vëllait në qytetin e Krujës, ku edhe në atë rast pati dëme materiale.
Në dy rastet 48 vjeçari ka ngritur dyshime se shkak për sulmet me eksploziv, mund të jetë një miqësi e prishur disa vite më parë.
Policia ka ngritur një grup hetimor i cili pasi ka marrë dëshmitë dhe provat në vendngjarje thotë se po punon për zbardhjen e rastit.
Por historia e tregon se zbardhja e rasteve të ngjashme është e vështirë, pasi shpërthimi i lëndës eksplozive nuk lë gjurmë.