Triporti në Vlorë drejt koncesionit, Qeveria autorizon dy ministri për nisjen e procedurave
Qeveria ka menduar të japë me koncesion edhe Triportin e Vlorës, pavarësisht se jemi dy muaj para zgjedhjeve dhe këto procedura janë të ndaluara. Në vendim thuhet se synohet kthimi i këtij Tripoti në port mallrash dhe peshkimi.
Edhe pse dhënia me koncesion është e ndaluar për shkak të zgjedhjeve qeveria ka vendosur të vazhdojë procedurën për Triportin e Vlorës.
Për këtë qëllim janë autorizuar Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Bujqësisë.
Në vendimin e publikuar në Fletore Zyrtare forma e negociimit është ajo e Partneritetit Publik Privat.
Qeveria arsyeton se përmes këtij koncesioni synohet shndërrimi Triportit të Vlorës në port mallrash dhe peshkimi.
Kujtojmë këtu që në muajin janar Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hapi procedurën për dhënien me koncesion për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e një Porti Turistik në qytetin bregdetar.
Ai do të emërohet "Marina Vlorë" dhe është parashikuar të ndërtohet në portin aktual të këtij qyteti me një kohëzgjatje 35-vjeçare.
Autoriteti kontraktor cilëson se vlera e investimit të këtij projekti nuk duhet të përllogaritet nga ofertuesit më e vogël se 22 milionë e 725 mijë e 571 euro.
Ndërkohë që për koncesionin e radhës nuk ka ende të dhëna për kohëzgjatjen apo vlerën që do akorodohet.
Përveç këtyre, në projektbuxhetin e vitit 2021 qeveria ka parashikuar të paktën 6 koncesione me Partneritet Publik Privat.