Gra e fëmijë, 17 orë në dëborë, qindra persona mbetën të bllokuar në rrugën e Qafë Thanës

Qindra persona mes të cilëve gra e fëmijë mbetën të bllokuar për rreth 17 orë në rrugën e doganës së Qafë Thanës, prej mbrëmjes së të dielës deri mëngjesin e sotëm, kur rruga u bë e kalueshme! Në pjesën tjetër të vendit, ngricat që pasuan reshjet e dëborës po shkaktojnë vështirësi në lëvizjen e mjeteve në rrugë dhe këmbësorëve në trotuare.

Mbi 1.5 metra arriti trashësia e dëborës në rrugën e Doganës së Qafë Thanës si pasojë e reshjeve të dendura dhe erës që e grumbullon në një pikë.

Lëvizja me vështirësi nisi mëngjesin e të hënës pasi aksi qëndroi i bllokuar për rreth 17 orë, duke mbajtur të bllokuar dhjetëra persona mes të cilëve fëmijë e gra shtatzëna.

Fillimisht u hap vetëm një korsi, ku mjetet qarkullojnë të shoqëruara nga borëpastruese.

Por shumë mjete ishin braktisur në borë ndërsa disa udhëtarë e morën në këmbë për të dalë në rrugën nacionale Librazhd-Korçë.

Akset kombëtare në qarkun e Korçës qarkullohen me Zinxhirë dhe goma dimërore, ashtu si edhe në rrugët drejt zonave turistike.

Të bllokuara mbeten fshatrat e thellë të Maliqit, Panariti në Korçë e Mokra në Pogradec.

Fshatra të izoluar ka në qarqet Kukës e Dibër.

Në Lezhë e Elbasan, shqetësim është akulli në rrugë e trotuare i krijuar pas temperaturave të Ulta.

Disa dhjetëra persona mësohet se janë përfshirë në incidente ditët e fundit duke pësuar fraktura.

Banorët e Elbasanit akuzuan bashkinë e drejtuar nga Glendian Llatja për dështim në menaxhimin e situatës që ishte paralajmëruar.

Në mungesë të ndërhyrjes së institucioneve, banorët e zonës së Ungrejt në Lezhë nisën ta hapin vetë rrugën mes borës që arrin në 50 cm.

Në veri të izoluar mbeten fshatrat e Dukagjinit, Thethi e Vermoshi, ku banorët thonë se termometri ka zbritur deri në -15 gradë dhe zona ka probleme me furnizimin me energji elektrike.

Sipas parashikimit, temperaturat e ulta do të vijojnë deri në fundjave.