Zgjedhjet e 14 shkurtit, Bylykbashi: Kosova leksion Shqipërisë
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi në një intervistë për Ora News ka thënë se arritja e Kosovës në këto zgjedhje ka ndodhur falë vullneti politik.
Sipas Bylykbashit, zgjedhjet në Kosovë duhet të jenë një leksion për Shqipërinë, teksa shton se qytetarët shqiptarë duhet ti japin kusurin qeverisë.
Bylykbashi: Pa vullnetin politik nuk arrihet ajo që Kosova po demonstron. Kosova s'po i demonstron një leksion Shqipërisë, një leksion që duhet ta marrim ne, e demonstron për veten e vet, tregon pjekurinë që ata po përpiqen dhe dukshëm po e arrijnë në një sërë parametrash, në një parametër kryesor siç janë zgjedhjet. Por pa vullnetin politik të forcave politike kjo do të ishte e pamundur. Ka një gjë që thuhet rregullisht në raportohet e Shqipërisë, gjë që është turp për politikën shqiptare, ka të bëjë me administrimin zgjedhor, me mënyrën se si qytetarët duhet t'i qasen tashmë kësaj situatë, është që mungon vullneti politik.
Ndaj qytetarët duhet të reagojnë për ti dhënë kusurin atyre që kanë në dorë, dhe në Shqipëri roli i qeverisë është shumë i madh në zgjedhje. Duhet dhënë kusuri, sepse Shqipëria nuk mund të ngecë në parametra të fillimit të viteve '90 të zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Këtu e ka çuar standardin e zgjedhjeve kjo qeveri e Edi Ramës.