Rama e quan gjyqtaren Hoxha “monstër”, mjekun Edvin Prifti e denoncoi drejtori i spitalit

“Një monstër” e quajti gjyqtaren Enkeleida Hoxha ndërsa arrestimin e mjekut kardiokirurg, Edvin Prifti, i cili ishte dhe shef pavioni në QSUT.

Në një takim online që po mban me të rinjtë në Tiranë, Rama përmendi arrestimin e gjyqtares së Gjykatës së Krujës dhe denoncimin e mjekut të cilit iu gjetën në banesë 250 mijë euro si tregues se reforma në drejtësi po funksionon.

"Marr shumë lajme të këqija nga sistemi i drejtësisëdhe realisht mirëkuptoj çdo kënd që thotë “na çave dërrasat me këtë histori. Ku është drejtësia, pse nuk fute në burg këtë e atë. Këto janë broçkulla por i mirëkuptoj.

Fakti është që një gjykatëse, një monstër që e përdori në mënyrë spektakolare forcën e papërgjegjshmërisë e abuzimit disa kohë më parë dhe atëherë u habit e gjithë dynjaja me vendimet e saj për të liruar njerëzit që ishin me burg përjetë e për ti nxjerrë në rrugë është sot në burg bashkë me të gjithë rrjetin e saj.

Ky përbën dhe shembullin si sistemi duhet të funksionojë por duhet durim. Kërkojnë kohën e vet. Para 7 vitesh kujt ia rrokte mëndje që llumi do hynte në një proces pastrimi."

Rama u ndal edhe tek mjeku ku zbuloi se ndaj Edvin Prifti kishte denoncim edhe nga drejtori i spitalit.

"Kjo është shenjë që sistemi ka nisur të funksionon. Bashkë me gjykatësen u arrestua një mjek shef pavioni që iu gjetën paret e dynjasë.

Eshtë një lajm shumë i mirë për sistemin pasi ko do të rrisë besimin e njerëzve që do të denoncojnë.

Në rastin e mjekut ka pasur një denoncim që e ka përcjellë drejtori i spitalit e kështu gjërat vijnë bashkë.

Nuk ka formulë magjike që gjërat të bëhen pa durim rezistencë ambicie e forcë lidershipi e mbi të gjitha pa vetëdijen që nuk bëhet dot ajo që nuk është bërë me vite duke përsëritur të njëtën gjë."

Mjeku Edvin Prifti dhe gjyqtarja e Gjykatës së Krujës, Enkeleida Hoxha dolën sot në gjykatë për vlerësimin e masës së sigurisë.