Adoleshenti mashtrues: Hap profile falso në fb të merrte 25 mijë euro në emër të një sëmuri
Një 19 vjeçar është arrestuar pasi përmes mashtrimit kompjuterik kërkonte ndihma financiare për persona që kishin probleme shëndetësore dhe u nevojitej ndihmë financiare nga qytetarë të tjerë.
Hetimi disamujor u finalizua sot me arrestimin e 19 vjeçarit nga Shkodra i identifikuar me inicialet J. M. dhe bashkëpunëtorit të tij 22 vjeçar po nga Shkodra me inicialet E.P
Si nisi hetimi
Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike kishte nisur verifikimet pas dyshimeve të arsyeshme se këta shtetas kishin hapur një numër të madh profilesh të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme, me qëllim mashtrimin e shtetasve që dëshironin të jepnin ndihma financiare për persona të ndryshëm.
Ndërkohë me anë të një profil në rrjetet sociale "duke u hequr në cilësinë e administratorit të një fondacioni bamires kërkonte një ndihmë financiare prej 25.000 eurosh, në emër të një shtetasi që kishte probleme shëndetësore, ndërkohë që ky shtetas nuk kishte njohje me emrin e shtetasit që paraqitej në profilin e rrjetit social, informon policia e shtetit.
Si vepronte
Sipas policisë së shtetit nga 10 profilet falso, 19 vjeçari kërkonte ndihma financiare për persona që kishin probleme shëndetësore dhe u nevojitej ndihmë financiare nga qytetarë të tjerë.
“Gjatë komunikimit, ky shtetas u dërgonte dhe të dhënat se ku do të dërgoheshin këto ndihma financiare. Të dhënat e dërguara nga ky shtetas i përkisnin një shtetasi tjetër, i cili do të bënte të mundur tërheqjen e ndihmave financiare. Pas realizimit të operacionit u konstatua se ky shtetas kishte hapur 10 profile me të dhëna të rreme, nëpërmjet të cilave janë kryer dhe veprimet kriminale” informon policia e shtetit
Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtyre shtetasve, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 telefona celular, karta SIM dhe dokumente të llogarive bankare.
Ndërkohë, po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.
Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”
Operacioni policor “Maskimi” u realizua nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.